Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “Today” të BBC Radio 4, ku ndër të tjera është pyetur lidhur me qëndrimin e sekretares së Brendshme Braverman lidhur me emigrantët shqiptarë. Ai e cilësoi këtë deklaratë një pikë të ulët në raportet mes dy vendeve, por sikurse u shpreh ka një vullnet për ta kapërcyer.

 

I pyetur nëse po kritikonte mënyrën sesi politikanët britanikë i kanë përshkruar emigrantët shqiptarë që shkojnë në Britani përmes La Manshit, apo stereotipizimin e shqiptarëve, Rama u përgjigj: Të dyja janë të vërteta.

 

“Dua të them pikërisht atë që është folur nga anëtarët e kabinetit, duke filluar nga Sekretarja e Brendshme… Kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por ka një vullnet për ta kapërcyer. Është e vërtetë që me forcimin e bashkëpunimin tonë ka pasur rezultate të dukshme që po i vë në dukje kryeministri këtu dhe qeveria. Por, nga ana tjetër, ne gjithmonë do të refuzojmë të kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike krimit në vetvete është krim,” tha Rama.

 

Duke u shprehur se shqiptarët nuk janë vetëm ata të gomoneve, Rama pohoi: “Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm dhe po punojmë si shoferë, në ndërtim, në kuzhina dhe madje edhe po këndojmë për ju djem”.

 

“Ashtu si Britania nuk është James Bond apo Mr. Bean, edhe nuk jemi vetëm “Taken”, u shpreh Rama duke iu referuar filmit të Liam Neeson ku shqiptarët portretizohen si trafikantë të qenieve njerëzore. Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm dhe po punojmë si shoferë, në ndërtim, në kuzhina dhe madje edhe po këndojmë për ju djema,” tha Rama për BBC Radio 4 duke shtuar se çështja e Kanalit Anglez është komplekse, “por shqiptarët nuk janë vetëm ata të gomoneve.”