Në tryezën shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj” të organizuar në Tiranë u rikonfirmua ndarja e hershme 6000-vjeçare e shqipes dhe kalimi i paraardhësve të shqiptarëve jo në degëzimin verior përmes stepës, por në lëvizjen lindje-perëndim drejt Gadishullit Ballkanik.

Në konferencën dyditore të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti “Ludwig Maximilian” i Mynihut, ku morën pjesë albanologë, gjuhëtarë e studiues të huaj, ishte i pranishëm edhe autori i studimit të publikuar 1 vit më parë në revistën “Science” për hershmërinë e gjuhëve indoeuropiane, Paul Heggarty.

Gjatë kësaj konference Heggarty sqaroi metodat e ndjekura mbi datimet e zhvillimeve të gjuhëve indoeuropiane, ku bën pjesë edhe Gjuha Shqipe.

Në një prononcim për mediet, Heggarty tha se “ishte një studim i madh, që na mori 7-8 vite punë. Dua të saktësoj se studimi i një viti më parë, nuk fliste vetëm për vjetërsinë e Gjuhës Shqipe, por për gjithë familjen e gjuhëve indo-europiane, që janë po aq të vjetra. Gjuha Shqipe është një gjuhë e hershme që ka vendin e saj në pemën gjuhësore dhe e veçantë nga të tjerat, një e dhënë e ditur, por me studimin që kemi bërë ne e përforcojmë këtë fakt dhe japim data të reja, për këtë gjuhë, por pa arritur të japin një shifër konkrete datimi”.

Tezat e studimit, të autorit Paul Heggarty sugjerojnë se indoeuropianishtja daton 8100 vite më parë, ndërsa 6000-7000 vite më parë u ndanë degëzimet e para, ku bën pjesë edhe degëzimi i gjuhës shqipe.

“Metoda që ne kemi përdorur vjen nga biologjia, ADN-ja, që janë zhvilluar nga matematicienë. Është një metodë e re shumë e debatuar nga gjuhëtarët dhe sigurisht duhet të jemi shumë të kujdesshëm për çdo lloj përfundimi. Po përpiqemi të gjejmë kronologjinë e zhvillimit të familjes së gjuhëve indoeuropiane”, theksoi ai.

Tryeza shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”, u vlerësua një sukses cilësor dhe shprehje e avantazheve që ofron bashkëpunim midis albanologëve dhe qendrave e institucioneve kërkimore të tyre./ata