Në ambientet e Muzeut Ikonografik “Onufri” në Berat u organizua “Albania Guitar Festival”. Bëhet fjalë për edicionin e 8-të të festivalit të Kitarës që këtë vit ngriti siparin në qytetin e një mbi një dritareve. Kitaristi Denis Bizhga me interpretimin e tij mbushi me emocion artdashësit e shumtë, ndërkohë që në flaut ishte edhe artistja holandeze Corien Woestengurg.

 “Këtë vit ne jemi në edicionin e 8 të festivalit të kitarës, kemi zgjedhur qytetin e bukur të beratit, në muzeun Onufri për të dhënë një recital për kitare dhe flaut, do të luaj unë në këtë mbrëmje së bashku me artisten nga Hollanda, Korinë Vashënburg. Një repertor i zgjedhur me periudha të ndryshme stilistike gjithmonë dhe për të respektuar objektin e kultit, por dhe muzeun Onufri dhe gjithmonë për ti dhënë atraksion kulturor qytetit të bukur të Beratit”, Denis Bizhga.

Kitaristi i mirënjohur tregoi edhe arsyen se përse zgjodhi që këtë festival ta zhvillonte në qytetin e Beratit.

“Mendoj që kur muzika është e gërshetuar dhe me objektet të trashëgimisë tonë kulturore, vjen si një vlerë e shtuar për promovimin e traditave tona më të mira dhe kulturës tonë për të gjithë turistët e interesuar “, Denis Bizhga.


Edhe vetë drejtori i Muzeut Ikonografik Onufri tregoi se evente të tilla promovojnë vlerat e jashtëzakonshme jo vetëm të muzeut, por edhe të qytetit.

 “Muzeu ikonografik Onufri si pjesë e qendrës muzeore Berat prej kohësh ka hapur dyert e tij për evente të veçanta kryesisht kulturore dhe muzikore për të promovuar jo vetëm vlerat e këtij muzeu, vlerat e tij të jashtëzakonshme por edhe vlerat e qytetit të Beratit”, Miklor Pasku.

 

“Turistëve mos ti ofrojmë thjeshtë një orar vizite të muzeut por edhe përtej këtij orari të kemi aktivitete të cilat mbushin dhe plotësojnë në mënyrë perfekte gjithë paketën turistike që ka në bazë trashëgimin kulturore dhe historinë e qytetit të beratit”.

Albania Guitar festival mbyllet në datën 27 qershor ku kitaristi Bizhga do të performojë në natën e fundit  me profesorin dhe kitaristin e njohur Gjerman Gerhard Rahemba./Tema