Përveç luhatjeve të shumta në fushë sa i përket lojës, te Partizani duhet të zgjidhin edhe problemet e herëpashershme me dëmtimet. Thuajse në çdo ndeshje të kuqve “u mbijnë” dy apo tre dëmtime, që detyrojnë trajnerin Veselinoviç të bëjë zëvendësime apo modifikime në 11-she.

Vetëm gjatë ndeshjes kundër Teutës katër lojtarë shfaqën probleme fizike dhe e lanë fushën mes dhimbjesh për shkak dëmtimesh. Ndeshja me Dinamon në Elbasan është pas vetëm tri ditësh dhe koha kaq e shkurtër vë në dyshim praninë e të katërve në fushë. Andi Hadroj, Redon Ismaili, Arshonzh Bintsuka dhe Gjelbrim Taipi do të duhet të ndiqen deri të premten pasdite për të parë gjendjen e tyre.

 

HADROJ – Pukjani ka pasur probleme të njëpasnjëshme fizike gjatë javëve të fundit dhe e njëjta gjë u përsërit edhe kundër Teutës, në rikthimin në fushë. Mësohet se ai ka pësuar një goditje në pjesën e kockës në pozicionin ku vendoset palestrina. Në pamje të parë nuk duket si diçka shumë serioze, por nisur edhe nga e shkuara, mbrojtësi do të duhet të monitorohet deri në ditët e fundit. Shanset janë që të jetë i gatshëm.

ISMAILI – Mesfushori nga Gjilani nuk luajti dot më shumë sesa një pjesë në betejën e fundit. I riu kishte shqetësime muskulore edhe para startit të ndeshjes, por situata u përshkallëzua gjatë sfidës. Ai do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, por nisur nga koha e shkurtër, duket shumë e vështirë që të jetë gati për ndeshjen me Dinamon. Mungesa e tij do të rëndonte jo pak, sepse Partizani nuk e ka një zëvendësues kokë më kokë.

TAIPI – 31-vjeçari e nisi si titullar sfidën e së hënës, por edhe ai u desh të linte fushën i detyruar. Gazeta mëson Taipi ka marrë një goditje në kofshë dhe njëjtë si të tjerët është në fazë rikuperimi. Nisur nga dëmtimi i lehtë, për mesfushorin ka shanse reale për të qenë në fushë në derbi.

BINTSUKA – Sulmuesi kongolez u dëmtua në një përplasje me portierin Tafas dhe luajti i sforcuar 45 minuta. Bintsuka ka ende shqetësime, por edhe në rastin e tij situata nuk paraqitet problematike. Gjithsesi, ashtu si të tjerët, edhe ai mbetet në dyshim./BalkanWeb