Me pjesëmarrjen e studiuesve të gjuhësisë, letërsisë, antropologjisë kulturore dhe dijeve të tjera albanologjike.

I pranishëm akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, i cili përshëndeti autorin dhe botimin.

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u bë sot promovimi i librit “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” të autorit Ardian Vehbiu.

Libri i sapobotuar kërkon të jetë një përgjigje e arsyetuar ndaj gjithë atyre që duan të rrëzojnë traditën albanologjike dhe rezultatet e studimeve serioze për gjuhën shqipe dhe historinë e saj.

Përballë një fushate intensive në masmedia, mediat sociale dhe portalet, ku persona me ekspertizë të dyshimtë vihen t’i hedhin gjuhës shqipe fall e t’i shohin filxhanin e kafesë, duke shpjeguar e shkoqitur nëpërmjet saj çdo gjuhë të botës që u del përpara, lexuesit mendjehapur i nevojitet një dozë e shëndetshme mendimi kritik, e shoqëruar me respekt dhe nderim të përtërirë, për të gjithë ata dijetarë shqiptarë dhe të huaj që i kanë ndriçuar shtegun albanologjisë këta dy shekujt e fundit.

Sipas autorit, libri “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” vjen në rrjedhën e debatit për origjinën e gjuhës shqipe dhe është menduar si një përpjekje për të kundërshtuar, sistematikisht, denigrimin e albanologjisë nga alternativët, amatorët dhe demagogët; të cilët, falë edhe simpatisë së papërgjegjshme të masmediave dhe frymës konspirativiste që këto ushqejnë, tani gëzojnë një numër të habitshëm ndjekësish dhe përkrahësish anembanë botës shqiptare.

Pse, si dhe ku gabojnë amatorët që merren me historinë e gjuhës shqipe. Libri i merr me radhë të gjithë autorët e sotëm që duan të merren me origjinën e gjuhës shqipe dhe të vetë shqiptarëve, duke i njohur lexuesit edhe ku e kanë burimin fillestar këto hipoteza dhe si kanë ardhur deri në ditët tona të ambalazhuara me slogane kombëtariste.

Libri “Përrallëtarët e gjuhës shqipe” ka karakterin e një studimi monografik dhe është botuar nga "Naimi", shtëpi botuese dhe studio letrare. Autori i tij, Ardian Vehbiu, është diplomuar në Tiranë për gjuhë-letërsi shqipe në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, pastaj ka studiuar gjuhësi historike dhe teorike në Romë (Universiteti “La Sapienza”) dhe ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, si dhe në Institutin Oriental të Napolit. Ardian Vehbiu është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave./Tema