Partitë opozitare në Shqipëri kanë uruar Donald Trump për fitoren si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shkruan se kombi i madh amerikan në zgjedhjet e tij më historike riktheu madhërishëm në Shtëpinë e Bardhë Donald Trump.
Sipas Berishës me votën e tyre plebishitare, qytetarët amerikanët u ngritën mbi hipokrizinë, mashtrimin, përpjekjet për t’ iu diktuar me të gjitha mjetet udhëheqësin e tyre, dhe me rikthimin më të madh të të gjitha kohërave, zgjodhën për të ardhmen e ndritur që meritojnë, Donald Trump President të 47-të të vendit të tyre.
“Ata votuan për vlerat themelore të njeriut dhe njerëzimit që ndajnë dhe mbrojnë njerëzit e lirë në mbarë botën, votuan për begatimin e tyre dhe paqen në botë”- shkruan Berisha.
Berisha nënvizon me tej se më presidentin Donald Trump, SHBA, aletatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurtë se kurrë më parë.
Berisha i shpallur “non grata” nga SHBA, theksoi se qytetarët amerikanë votuan gjithashtu për shpëtimin e vendit të tyre dhe jo vetëm atij, nga mafia më e rrezikshme e kohërave, mafia e George Soros.
Meta: Mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës
Edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale. Meta nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan se rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, ishte i merituar dhe se ai triumfoi me plot sakrifica betejën e pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan.
“Triumfi Juaj është një mesazh i çmuar që kombi amerikan i jep botës se fati i demokracisë është vetëm në duart e qytetarëve dhe se sa të shtrenjta janë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, demokracia dhe pluralizmi përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese antivlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë. Besimplotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën lidershipin Tuaj, Zoti President, do të vazhdojnë të jenë frymëzim dhe mbështetje e pazëvendësueshme për popullin shqiptar”- shkruan Meta.
Basha: Miqësia dhe aleanca e shkëlqyer e Shqipërisë me SHBA-të do të arrijë maja të reja
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha uroi Donald Trump për fitoren dhe rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehu përgëzime të përzemërta për këtë fitore historike dhe nënvizoi rëndësinë e aleancës mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara që do të arrijë maja të reja.
Ai thekson se miqësia me Shtetet e Bashkuara ka qenë gjithmonë një mbështetje e fuqishme për Shqipërinë, duke vlerësuar rolin e SHBA-së në momentet më të rëndësishme të historisë së vendit.
“Në çdo moment vendimtar të historisë tonë, shqiptarët janë bekuar nga miqësia e Shteteve të Bashkuara. Le të vazhdojmë këtë rrugë të mrekullueshme të lirisë dhe demokracisë, të bashkuar në besimin dhe angazhimin tonë për vlerat tona të përbashkëta”, shkruan Basha./ata