Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha se çështja e migracionit të parregullt është pranuar si një nga temat kryesore të Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe pret që të ndërmerren hapa të mëtejshëm në këtë drejtim.
Meloni pas mbërritjes së saj në Samitin e Liderëve të BE-së i cili fillon sot në Bruksel në një deklaratë për mediat italiane tha se "Çështja e migracionit pranohet si një nga temat kryesore të BE-së dhe ndiqet hap pas hapi nga Këshilli. Ky është një lajm i mirë. Pres të ndërmerren hapa të mëtejshëm lidhur me çështjen e migracionit. Mund të them se jam e kënaqur nga projekt-rezultatet që kërkojnë nga Komisioni Evropian përparim të menjëhershëm për këtë çështje".
Kryeministrja italiane Meloni tha në BE gjithmonë ka pikëpamje të ndryshme për çështjen e politikave të ekonomisë dhe të buxhetit. "BE-ja duhet të mësojë diçka nga gabimet në të kaluarën. Sot nga të gjithë kërkohet transformim ekologjik, transformim dixhital, zinxhirë strategjikë të furnizimit, investime të mëdha", shtoi Meloni.
Duke vazhduar qëndrimin kritikues ndaj vendimit që vendos ndalimin e automjeteve me benzinë dhe naftë në BE që nga viti 2035, Meloni tha se i kanë ndarë objektivat e këtij transformimi por besojnë se nuk është e nevojshme që BE-ja të interesohet për të përcaktuar se cilat teknologji do të përdoren për të arritur këto qëllime.
Meloni tha me partnerët e koalicionit në qeverinë e saj nuk ka ndonjë shqetësim për dallimet në qasjen ndaj luftës në Ukrainë. "Bëhet fjalë për një pozicion ku të gjithë punojnë për t'i dhënë fund konfliktit. Në kontekstin aktual, nuk ka masë më efektive sesa garantimi i një ekuilibri mes forcave në terren", theksoi ajo.
Meloni informoi se në kuadër të samitit do të takohet me kryeministrin e Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ndërsa shtoi se është në kontakt edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron./AA