Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “shqiptarët janë komuniteti me pro amerikan në Evropë, kushdo të jetë në Shtëpinë e Bardhë nuk bën ndonjë dallim të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në një prononcim për mediet para fillimit të takimit të Komunitetit Politik Europian në Budapest, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri të SHBA-së Donald Trump, Kryeministri Rama tha se “për Shqipërinë nuk nënkupton asgjë sepse asgjë nuk ndryshon. Ne jemi shumë pak të prekur nga këto lloj emocionesh se për ne është e njëjta gjë”.
“Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë ndoshta jo në mënyrën e duhur për kthimin e tij të mundshëm. Përvoja më thotë që kur ishte President dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej me e dobët, NATO-ja u bë më e fortë kështu që le të shohim dhe të mos bëhemi histerikë përpara sesa të shohim realitetin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se “SHBA janë SHBA dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domodoshmërisht diçka e keqe për Europën, mund të jetë një gjë shumë e mirë për Europën”.
Pyetjes se çfarë do t’i thoshte Zelenskit, Rama iu përgjigj se “ia kam thënë, mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t’u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë”.
“Kur u zgjodh herën e parë, të gjithë po dridheshin, sepse ndoshta NATO-s do t’i vinte fundit, por NATO-ja u bë më e fortë. Ndaj, nuk mendoj se ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diçka që duhet ta shohim si shqetësuese. Në të kundërt, mund të jetë një mundësi e madhe për të bërë gjërat ndryshe për ne dhe për botën”, vijoi Rama.
I pyetur në lidhje me stabilitetin në Gjermani, me rënien e koalicionit, Rama tha se ” unë jam Kryeministri i Shqipërisë. Jam më i gjati mes tyre, por përfaqësoj një vend të vogël, kështu që nuk më takon mua të mendoj për të gjitha gjërat e mëdha, si ajo çfarë po ndodh në Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, në fund të fundit, besoj që Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjitha këto vende të mëdha janë mjaftueshëm të forta për t’i kapërcyer të tilla situata dhe ndoshta në një farë mënyre, kjo do të ndihmojë gjermanët, të bëjnë më shumë, e po kështu të kuptojnë se kanë një vend të madh”.
“Besoj se ajo çfarë është thënë, ajo çfarë është diskutuar intensivisht përpara zgjedhjeve evropiane, shkoi shumë larg dhe ndërkohë ajo çfarë ndodhi me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të përbëjë një mundësi për të riformësuar shumë gjëra, për ta parë botën paksa ndryshe, për ta parë vetë Europën paksa ndryshe sepse Evropa po bëhet më e vjetër. Ka nevojë për më shumë energji, për më pak rregullime dhe ndoshta është mundësi për të vënë në lëvizje gjërat”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund të fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendoj se janë më të forta se çdokush që është në Shtëpinë e Bardhë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, e thashë, ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën”./ata