Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në fjalën e saj në seancën e sotme plenare, foli për arrestimin e Ilir Metës.

Deputetja e PL-së, teksa iu drejtua ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, tha se ai është përgjegjës për trajtimin denigrues që i është bërë Ilir Metës gjatë arrestimit.

“Ministër i Brendshëm ju kemi dërguar një letër për trajtimin denigrues të bërë ndaj ish-presidentit Meta me urdhër të Edi Ramës. Ju jeni përgjegjës për atë trajtim çnjerëzor të një personi që nuk i është shmangur në asnjë moment drejtësisë.

Policët me maska duhej t’i thoshin vendimin e gjykatës dhe shkakun e arrestit, të drejtat e tij kushtetuese dhe të drejtën për avokat. Këtë të drejtë e ka çdo qytetar. Ju keni urdhëruar policët me maska të bëjnë atë trajtim”- tha Xhixho.

Xhixho tha se i ka bërë kërkesë Ministrisë së Brendshme, për emrat e efektivëve që arrestuan Metën.

“Kërkojmë kush janë personat, emrat e policëve me kapuç që kanë marrë përsipër të kryejnë atë pengmarrje politike. Nga ana tjetër kërkojmë kush ka urdhëruar dhe udhëhequr operacionin kriminal. Sot është data finale kur mbaron afati”- tha Xhixho.

Xhixho paralajmëroi ministri me kallëzim penal nëse nuk merr përgjigje./ata