Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para Samitit të Komunitetit Politik të Evropës i cili po mbahet në Budapest, ka thënë se bashkëpunimi i Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë fuqishëm edhe nën administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Në fjalën e saj para samitit, ku paraprakisht u prit nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, Osmani tha se zgjedhja e Trumpit si president i SHBA-së, beson se do ta forcojë më tej bashkëpunimin edhe me Kosovën.
"Zgjedhja e presidentit Trump do të vazhdojë ta fuqizojë këtë marrëdhënie dhe secili duhet ta japim kontributin tonë lidhur me këtë. Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë, kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën e presidentit Trump", theksoi Osmani.
Ajo është pyetur edhe për mundësinë e një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, meqë ai ndodhet poashtu në Hungari, por Osmani e ka mohuar një gjë të tillë.
"Jo, zakonisht nuk takohemi. Kosova dhe Serbia takohen në kuadër të Dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Diskutimet po vazhdojnë në Bruksel në mes të kryenegociatorëve për atë se si mund të lëvizim përpara në implementimin e marrëveshjeve që janë arritur", theksoi presidentja Osmani.
Takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian do të mbledhë liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti, në Budapest. Në këtë Samit, Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.
Në kuadër të Samitit, ajo do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë, derisa pritet të zhvillojë një takim edhe me mërgatën shqiptare në Hungari./aa