Viti 2024 është në rrugën për të hyrë në histori si viti më i ngrohtë i planetit i regjistruar ndonjëherë, tha sot agjencia e ndryshimeve klimatike e BE-së, duke shënuar një moment historik të ri në krizën klimatike të globit.

"Tani është praktikisht e sigurt se viti 2024 do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar. Anomalia mesatare e temperaturës për pjesën tjetër të vitit 2024 do të duhet të bjerë pothuajse në zero për vitin 2024 që të mos jetë viti më i ngrohtë", tha në një deklaratë Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus.

Ai tha se temperatura mesatare globale për 12 muajt e fundit (nëntor 2023 - tetor 2024) ishte 0,74 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020 dhe rreth 1,62 gradë Celsius mbi mesataren paraindustriale të viteve 1850-1900.

Më konkretisht për Evropën, sipas agjencisë, temperaturat ishin mbi mesataren pothuajse në gjithë kontinentin.

Jashtë Evropës, temperaturat ishin kryesisht mbi mesataren në Kanadanë veriore dhe shumë mbi mesataren në pjesën qendrore dhe perëndimore të Shteteve të Bashkuara, Tibetin verior, Japoni dhe Australi.

Nga ana tjetër, temperaturat ishin më së shumti nën mesataren në Grenlandën qendrore dhe Islandë.

Duke komentuar mbi gjetjet, zëvendësdrejtoresha e Copernicusit, Samantha Burgess, theksoi se "Kjo shënon një moment historik të ri në të dhënat globale të temperaturës dhe duhet të shërbejë si një katalizator për të rritur ambiciet për Konferencën e ardhshme të Ndryshimeve Klimatike (të Kombeve të Bashkuara), COP29", e cila do të fillojë të hënën e ardhshme në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku./aa