Marrëveshja mbi njohjen reciproke të pensioneve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë ishte në qendër të takimit që ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga zhvilloi me ministren e Punës dhe Mbrojtjes Sociale të Greqisë, Niki Kerameus.
Hajdaraga thekson se, nga kjo marrëveshje, e cila është parashikuar të ndjekë një model të ngjashëm me atë që Shqipëria ka nënshkruar me Italinë, do të përfitojë një numër i madh shtetasish shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
“Implementimi i kësaj marrëveshjeje do të kontribuojë në rritjen e mirëqenies sociale për shtetasit shqiptarë dhe do të forcojë më tej marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Greqisë në fushën e mbrojtjes sociale dhe sigurimeve shoqërore”, nënvizon më tej Hajdaraga në një postim në rrjetet sociale.
Deri më sot, Shqipëria ka përfunduar me sukses 18 marrëveshje ndërkombëtare për sigurimet shoqërore, duke konfirmuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për të zgjeruar mbrojtjen sociale për qytetarët shqiptarë në vende të ndryshme të botës.
Gjatë këtij takimi, pala greke shprehu gatishmërinë për të avancuar në raundin e tretë të negociatave, çka përforcon vullnetin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në këtë drejtim, theksoi ambasadorja.
Kjo marrëveshje do të jetë një arritje pozitive drejt përmbushjes së nevojave të komunitetit shqiptar në Greqi, dhe të një avancimi të rëndësishëm të bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm mes dy vendeve, theksoi ambasadorja Hajdaraga.
Një ditë më parë ambasadorja Hajdaraga zhvilloi edhe një takim me ministrin e Drejtësisë së Greqisë, Jorgos Floridis, me të cilin shkëmbyen mendime mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, me fokus të veçantë në fushën e drejtësisë dhe çështjet me interes të ndërsjellë.
“Diskutuam gjithashtu mbi bashkëpunimin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE. Ky takim përforcon angazhimin tonë të përbashkët për të avancuar bashkëpunimin dypalësh në fusha kyçe dhe për të ndihmuar në procesin e reformave për përmbushjen e standardeve evropiane”, theksoi Hajdaraga./ata