Në qendrat shëndetësore ka nisur në 7 tetor vaksinimi falas kundër gripit, si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga ky virus.
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, përmes rrjeteve sociale u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, pjesë e grupeve të riskuara nga gripet sezonale të bëjnë vaksinën antigrip, e cila është falas.
Koçiu theksoi se në vetëm një muaj, 54% e dozave të shpërndara të vaksinave antigrip janë aplikuar, duke forcuar mbrojtjen ndaj gripit për këtë sezon.
Ministrja Koçiu theksoi se “nga 280 mijë doza të dërguara në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, më shumë se gjysma janë administruar për të mbrojtur shëndetin e popullatës, veçanërisht grupet më të ndjeshme”.
“Vaksinat janë thelbësore në mbrojtjen e shëndetit. Le të kujdesemi për veten dhe njëri-tjetrin”, u shpreh ministrja Koçiu.
Këtë vit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 20 mijë doza më shumë se një vit më parë dhe do të vijojë të kryhet për grupet e riskut sipas një kalendari të përcaktuar nga strukturat e shëndetësisë.
Në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit janë siguruar 280 000 doza vaksinash të shpërndara tashmë në të gjithë vendin./ata