Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë mëngjesin e sotëm për “Chatham House” në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Britanisë së Madhe ku ndodhet për një vizitë zyrtare.

 

Teksa nuk kurseu ironitë për etiketimin e qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë drejt Britanisë, Rama pati kritika dhe për BE.

 

Kreu i qeverisë u shpreh se pavarësisht se vendi ynë i ka përmbushur detyrat, Bashkimi Evropian ka qenë duke u marrë me zgjedhjet lokale apo kombëtare në vendet e tjera anëtare.

 

Sipas Ramës që pas luftës në Ukrainë, BE është më vigjilente ndaj Ballkanit dhe theksoi se Shqipëria ka nevojë për BE-në që të sigurojë demokracinë funksionale për brezat e ardhshëm.

 

“Si?! Të anëtarësohemi në BE? Po më kërkoni të shoh globin e kristalit, të parashikoj të ardhmen që është e pamundur sepse edhe BE nuk di gjë për këtë, askush nuk e di. Por, dëgjoni, pjesa e thjeshtë dhe më e vështirë për ne është se duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Qëllimi ynë është që të kemi një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional dhe që të kemi të gjithë pjesën tjetër e cila është e mirë dhe që përkon me 4 mijë e disa qindra ligje, akte nënligjore që na duhet të miratojmë. Dhe kjo do ta bëjë Shqipërinë një demokraci moderne dhe funksionale. A do ta bëjë Shqipërinë një shtet anëtar? Nuk e di!

 

Kemi parë një BE i cili ka qenë absolutisht hipokrit me ne, sepse ne i kishim bërë detyrat e shtëpisë, por nuk ishte e mjaftueshme sepse ata kishin problemet e tyre të brendshme. BE, se nu dua të tingëlloj tani si tifoz i Brexit-it sepse nuk jam. Bashkimi Evropian është një federatë egosh që ndonjëherë nuk pikë takohen me njëra-tjetrën, ka 27 zgjedhje kombëtare, lokale, evropiane dhe nuk janë në të njëjtën ditë.

 

Kështu që duhet ta lexosh Bashkimin Evropian duke parë zgjedhjet. Nuk ka rëndësi që bën detyrat e shtëpisë, nuk ka rëndësi që Komisioni Evropian është i pranishëm për të vlerësuar teknikisht dhe jo politikisht, objektivisht dhe jo subjektivisht se sa ka bërë ky shtet punën e vet, për të thënë që po e kanë bërë punën e tyre dhe meritojnë çeljen e bisedimeve për anëtarësim, sepse ndërkohë na dalin zgjedhje në Holandë.

 

Kur ishin në atë kohë zgjedhjet atje na u desh të përballeshim me të njëjtën retorikë, ashtu si me retorikën këtu, me tituj: një tjetër bandë shqiptare është goditur dhe kur lexon artikullin, lexon për holandezë, belgë, marokenë dhe në fund dalin nja dy shqiptarë të moshuar që ruanin serën, megjithatë e gjitha banda ishte shqiptare në titull sepse ishte me rëndësi që të ndërtohej një histori e armikut në kufi, dhe kjo i ka bërë njerëzit me barka të transformohen sikur vijnë për të ripushtuar Anglinë Perëndimore, nuk është kështu! Lufta në Ukrainë e solli në vete Bashkimin Evropian kur bëhet fjalë për gjeo- politikën sepse në terma konkrete kurrë nuk morën një vendim gjeo-politik në kohë kur vjen fjala për ne.

 

Tashmë janë më vigjilentë dhe e kuptojnë se nuk mund ta lënë Ballkanin jashtë këtij projekti, ajo për të cilën lutemi është që BE të vazhdojë të ekzistojë derisa ne të përmbushim detyrat, pastaj mund të shpërndahen, është problemi i tyre. Ne duam të jemi një shtet demokraci funksionale për brezat e ardhshëm dhe këtë mund ta bëjmë duke pasur Bashkimin Evropian në krah. Pa BE nuk mund ta shpikësh këtë, është një dije e cila është ndërtuar për shumë vite, janë instrumente që nuk mund t’i shpikësh dhe e gjitha mungesa e traditës që përmenda më herët mund të zëvendësohet vetëm nga kjo dije. Dhe kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian është kaq i çmuar”, u shpreh Kryeministri.