Ushtria izraelite raportoi se ka interceptuar me sukses një raketë të lëshuar nga Jemeni drejt rajoneve jugore të Izraelit.

“Lidhur me alarmet në Detin e Vdekur dhe në veri të Eilatit, u interceptua një raketë e lëshuar nga Jemeni”, konfirmoi ushtria izraelite.

Nuk raportohet për dëme apo viktima në zonë.

Nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare nga lëvizja Houthi e Jemenit, e cila ka marrë më parë përgjegjësinë për kryerjen e sulmeve me raketa dhe dronë ndaj Izraelit në “solidaritet me Gazën”.

Izraeli ka vazhduar ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, duke vrarë afro 43.500 palestinezë dhe duke e bërë enklavën pothuajse të pabanueshme.

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në enklavën e bllokuar./aa