Një hetim i ri ngre dyshime të forta mbi vlefshmërinë e vendimit të gjykatës në Belgjikë për t’i dhënë biznesmenit Franchesco Becchetti 100 milionë euro, në një çështje arbitrazhi kundër Republikës së Shqipërisë.

Kështu ka zbuluar agjencia mediatike europiane “IntelliNews”, sipas së cilës, hetimi ka zbuluar se si “biznesmeni italian orkestron skema mashtrimi të paramenduara për të fituar arbitrazhe.”

 

Në artikull theksohet se Qeveria shqiptare ka apeluar ndaj vendimit të gjykatës së Belgjikës për t’i dhënë Becchettit 100 milionë euro tarifa aviacioni, duke paraqitur prova të reja të rëndësishme.

Një grup hetimor i një firme të huaj, i angazhuar nga Shqipëria ka nxjerrë prova që tregojnë se Becchetti mund të ketë ndërhyrë në procesin e arbitrazhit për të siguruar një vendim në favor të tij.

Provat e Hetimit:

Firma e hetimit ka kryer intervista me persona të lidhur dhe i ka regjistruar ato. Agjentët e firmës së hetimit intervistuan disa herë Marco Giontella, një konsulent tatimor dhe bashkëpunëtor i Becchettit. Sipas raportit të Firmës së Hetimit, i bazuar në këto biseda, “Beccheti orkestron skema mashtrimi të paramenduara për të fituar arbitrazhe.”

Raporti vazhdon duke pretenduar se Beccheti manipulon rezultatet duke krijuar lidhje dhe praktika korruptive, të cilat i mundësojnë atij të kërkojë rezultate të favorshme, duke cituar kështu provat e paraqitura gjatë bisedave me Giontella.

Duke iu referuar intervistave, raporti thotë se Deutsche Bank ishte gjithashtu viktimë në një rast të ngjashëm arbitrazhi me Becchettin.Si pjesë e Projektit të Hidrocentralit të Kalivaçit, Beccheti kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa subjekte, përfshirë edhe me organet shtetërore shqiptare dhe me Deutsche Bank AG. Megjithatë, projekti dështoi dhe në vitin 2010 Beccheti dhe Deutsche Bank nisën procedura arbitrazhi, duke akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjeve të bashkëpunimit.

“Njësoj si në rastin e Deutsche Bank, Z. Beccheti përdori një metodë të ngjashme për të kontrolluar emërimin e presidentit të arbitrazhit, me ndihmën dhe bashkëpunimin e plotë të Z. Giontella,” thotë raporti.

Duke iu referuar dëshmive të intervistuarve, raporti thekson se Beccheti kërkon të “ndikojë në emërimin e gjyqtarëve në rastet e tij dhe vendimet e tyre përmes ryshfetit.”

Në veçanti, hetuesit pretendojnë se kanë prova se Beccheti siguroi marrëveshjen e gjyqtarit të emëruar për të vendosur në favor të tij gjatë procedurave, sipas një raportimi të EuroReporter.

Në një rast tjetër arbitrazhi, Beccheti supozohet të ketë ndikuar në emërimin e presidentit të gjykatës dhe avokati i Becchettit në rastin ICSID kishte një miqësi personale me kryetarin e trupës së arbitrazhit, që ka kompromentuar integritetin e procedurave të arbitrazhit, sipas raportit.

Raporti gjithashtu ka përfshirë një deklaratë nga dëshmitari ekspert, një pedagog universitar italian, Alberto Pasquale, në rastin ICSID, i cili ka pranuar se ka gënjyer trupën e arbitrazhit dhe se nuk është shkaktuar asnjë dëm real për Becchettin. “Z. Pasquale pranoi se ka shkelur detyrat e tij si dëshmitar i paanshëm përmes ndërveprimit të ngushtë me Z. Becchettin, të cilin ai e përmendte si ‘Shefi’ në rastin kundër palës tjetër.

Në vlerësimin e tij të gabuar, Z. Pasquale ka dhënë indikacione dhe deklarata të rreme për përmirësimin dhe rritjen e Agon Channel, ndërkohë që kishte një opinion krejtësisht të ndryshëm personal (që Agon Channel nuk kishte asnjë mundësi për t’u rritur)”, thotë raporti.

“Z. Pasquale konfirmoi se roli i tij ishte të shërbente interesave të palës që paguante (Z. Becchetti), në vend që të shërbente si një ekspert i pavarur dhe objektiv.”

Raporti i Firmës së Hetimit dhe të gjitha videot e intervistave janë dorëzuar në gjykatën e Brukselit, në mbështetje të kërkesave të Tiranës për të anuluar vendimin që i dha Becchetit 100 milionë euro./Top Channel