Ministrja suedeze e Punëve të Jashtme, Maria Malmer Stenergard, i ka bërë thirrje Izraelit të respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke theksuar se situata në Gaza është "katastrofike".

Komentet e ministres suedeze vijnë pas raportit të OKB-së, i cili konfirmoi se 70 për qind e viktimave që organi ka verifikuar në Gaza janë gra dhe fëmijë.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dënoi "dhunën sistematike të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare".

"70 për qind e atyre që janë vrarë në Gaza janë gra dhe fëmijë", tha raporti i OKB-së.

Stenergard tha se situata për popullatën civile në Gaza është çnjerëzore dhe se dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur jetën, mes tyre mijëra fëmijë.

"Situata humanitare në Gaza është katastrofike dhe vuajtja njerëzore e popullatës civile është e pafund. Qëndrimi i Suedisë është i qartë. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe kjo e drejtë e qartë duhet të ushtrohet po aq qartë në përputhje me ligjin ndërkombëtar", tha Stenergard.

Që kur Izraeli nisi luftën ndaj Gazës më 7 tetor të vitit 2023, të paktën 43.500 palestinezë janë vrarë në Gaza, shumica e tyre gra dhe fëmijë, si dhe mbi 102.300 të tjerë janë plagosur.

Më shumë se një vit pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid kundër palestinezëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./aa