Zëvendëskryeminitrja Belinda Balluku dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ishin sot në një takim me prefektët e vendit. Balluku theksoi se një nga çështjet e identifikuara në turizëm është taksa e ulët, që ka nevojë për rishikim.

“Për sa i përket taksës së fjetjes, ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka bërë një analizë shumë të mirë me disa ekspertë kroatë. Kroatët janë rasti më i mirë për t’u ndjekur, ne nuk mund të shpikim rrotën, se e kanë bërë të tjerë para nesh dhe kroatët kanë pasur pak a shumë të njëjtën ecuri me ne. Tashmë, një nga pikat që kemi identifikuar është taksa e fjetjes që është shumë e ulët, ndaj duhet një rishikim. Taksa nuk mund të jetë e unifikuar, sepse taksë tjetër do të paguajë ai në Dhërmi dhe taksë tjetër në Fier. Askush nuk e pengon bashkinë që të rishikojë taksën me vendim të Këshillit Bashkiak dhe më pas ta aplikojë atë”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja reagoi për taksën e fjetjes, pasi prefekti i Tiranës, Afrim Qëndro e ngriti këtë shqetësim në analizën që ai bëri për shifrat dhe turizmin në kryeqytet.

“Tirana ka dy lloje turizmi, atë në bregdet dhe turizëm në kryeqytet. Turizmi në bregdet, përfshin Golemin, Spillenë dhe Vilë Bashtovën. Në analizën që bëjmë, na rezultojnë rreth 500 e pak mijë pushues në Kavajë dhe Rrogozhinë dhe të ardhurat janë 1.1 milionë dollarë. Ka diçka që nuk shkon ose bashkitë raportojnë më pak, ose taksat janë shumë të ulta të bashkive. Ka ardhur koha që ne si shtet duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj. Duke pasur më shumë të ardhura, bashkitë mund të kryejnë më shumë shërbime, pa pasur nevojën që t’i kërkohen të ardhura vetëm shtetit”, u shpreh Qëndro./ata