Fshati turistik i Voskopojës këtë fundjavë mikpriti qindra turistë francezë me makina “Citroën” të viteve ‘60.

Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, teksa ndau në rrjete sociale foto të turistëve francezë, të cilët me makinat “Citroën” të viteve ‘60 vizituan fshatin dhe u shprehën të mrekulluar nga gjithçka gjetën aty.

Voskopoja është një nga vendet më të preferuara dhe të veçanta në Shqipëri. Në të gjitha stinët e vitit, fshati turistik vijon të mbetet një nga pikat më interesante për vizitorët vendas dhe të huaj.

Çdo fundjavë turistë të shumtë ndalen në Voskopojë për t’u relaksuar, mbi të gjitha me ajrin e pastër dhe gatimet tradicionale të zonës.

Përveç bukurive natyrore, Voskopoja është e pasur dhe me shumë monumente kulture, siç janë kishat e manastiret, të cilat ngjallin interesin e vizitorëve./ata