Ndërtimi i rrugës pa trotuare dhe element tjetër sigurie nga rrethrrotullimi i Gostilit deri në hyrje të qytetit të Kukësit është kthyer në kërcënim për banorët e lagjes “Kroi Kuq”. Nxënësit e shkollës e sidomos vogëlushët e parashkollorit janë më të rrezikuar nga makinat që ecin me shpejtësi, ndaj prindërit janë të detyruar t’i shoqërojnë cdo ditë në shkollë e kopësht.

“Ne kemi fëmijët e vegjël, të cilët duhet t’i çojmë çdo ditë në krah dhe t’i marrim nga kopshti. Problem shumë është se ecim 3 kilometra në rrugë të makinës se trotuare nuk ka. Është shumë e rrezikshme sepse ka shumë lëvizje dhe makinat ecin shpejt. Të paktën të na vendosin transport për fëmijët”, thanë prindërit.

Nënkryetari i Bashkisë së Kukësit Vladimir Spahiu shprehet se po bëhet studim për urbanizimin e lagjes, por nuk dha asnjë përgjigje konkrete për trotuaret që janë shqetësim imediat i banorëve. 

“Kjo është lagje informale, po bëjmë studim për ta urbanizuar”, tha ai.

Lagjja periferike “Kroi i Kuq” gjendet rreth 3 kilometra larg nga qendra e qytetit dhe popullohet nga 300 banorë. Kjo problematikë është shfaqur ditët e fundit kur u mbyll ura ekzistuese dhe u vendos në funksion Ura e Madhe e Kukësit. Rruga nga rrethrrotullimi i Gostilit deri në hyrje të Kukësit është ndërtuar nga koncesionari me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe është e vetmja nyje që lidh qytetin e Kukësit me Rrugën e Kombit./Shqiptarja