Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas i bëri thirrje "komunitetit ndërkombëtar për pezullimin e anëtarësimit të Izraelit në Kombet e Bashkuara (OKB) për sa kohë që ai nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar".

Duke folur në Samitin e Përbashkët të Jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Ligës Arabe në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, Abbas tha se gjenocidi i Izraelit kundër palestinezëve vazhdon me mbështetjen e SHBA-së dhe tha se "Komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në ndalimin e sulmeve në Rripin e Gazës".

Abbas theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për "ndalimin e sulmeve izraelite, dërgimin e ndihmës në Gaza dhe tërheqjen e pushtuesve".

Presidenti i Palestinës, Abbas i bëri thirrje KS-OKB-së dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të pezullojnë anëtarësimin e Izraelit në OKB për sa kohë që ai nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime për të ndaluar "terrorizmin" që synon uzurpimin e tokave palestineze dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve të botës që të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me Izraelin dhe të vendosin sanksione.

Duke e cilësuar si "një fatkeqësi" vendimin e Izraelit për të ndaluar aktivitetet e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë, e cila ofron ndihmë për palestinezët, Abbas tha: "Ne theksojmë nevojën për të forcuar UNRWA-në dhe për të vazhduar rrjetin e mbrojtjes financiare".

Abbas shprehu kënaqësinë nga aleanca e zgjidhjes me dy shtete të iniciuar nga Rijadi. Presidenti palestinez potencoi se duhet të mbrohet statusi historik dhe ligjor i Kudsit./aa