Seksioni i imigracionit në gjykatën e Romës ka referuar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë çështjen e emigrantëve të ndaluar në qendrën Gjader në Shqipëri, duke pezulluar masën e vlefshmërisë së ndalimit.

Lajmi bëhet me dije nga mediat italiane.

Vendimi ka të bëjë me shtatë emigrantët, egjiptianë dhe bangladeshas, të cilët tashmë ndodhen brenda qendrës së paraburgimit italian për riatdhesim në Gjadër. Seksioni i imigracionit i Gjykatës së Romës ka marrë vendimin pasditen e sotme. Shtatë emigrantët do të duhet të kthehen dhe të lirohen në Itali në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Një vendim i mëparshëm i gjykatës anuloi mbajtjen e 12 emigrantëve të parë në kampet e ndërtuara në Shqipëri.

Pas vendimit të gjykatës emigrantët u transferuan në një qendër pritjeje në Bari, duke u bazuar në të drejtën evropiane. Pas këtij vendimi, qeveria italiane nxori një dekret ligjor që rishikonte listën e vendeve të konsideruara të sigurta për riatdhesim.

Disa ditë më parë, shtatë azilkërkues të rinj, tre nga Egjipti dhe pesë nga Bangladeshi, u transferuan në Shqipëri në kuadër të një procedure përshpejtuese. Njëri prej tyre u rikthye në Itali për shkak të problemeve shëndetësore të konstatuara pas kontrollit mjekësor./EuroNews