Në Maqedoninë e Veriut mesatarisht çdo vit humbin jetën 3400 njerëz nga ndotja e ajrit. Kështu ka treguar hulumtimi i fundit i organizatës UNDP-së dhe Universitetit “Goce Dellçev”.
Prej vitesh qytetarët Shkupit thithin ajër të rrezikshëm. Kryeqyteti është në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë. Përqendrimi i grimcave të dëmshme për shëndetin në Shkup është 14 herë më i lartë se vlera vjetore e udhëzimeve për cilësinë e ajrit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Disa studime të UNDP-së në Shtip tregojnë se burimet kryesore të ndotjes së ajrit të ambientit janë familjet dhe objektet publike që ngrohen me lëndë djegëse fosile.
“Gjatë periudhës së dimrit, burim dominues i ndotjes është ngrohja e amvisërive dhe objekteve publike. Mirëpo, studimi i tyre i fundit ka treguar se në disa qytete si në Shkup, Strumicë, Strugë, Kavadar, Gostivar, Kumanovë, përveç ngrohjes, shkaktar i ndotjes është edhe trafiku”, thotë Mirjana Dimovska,
Ndotës kryesorë janë objektet publike të cilët ngrohen me mazut, ndër to janë edhe spitalet e vendit. Për këtë ministri i Shëndetësisë Arben Taravari thotë se është planifikuar një projekt i cili parashikon ndërrimin e sistemit të ngrohjes së 10 spitaleve.
“Ne si Ministri e Shëndetësisë bëjmë çmos për ta përmirësuar kualitetin e ajrit. Për këtë arsye Qeveria ka hartuar një projekt. Do të filloj të implementohet nga viti i ardhshëm. Bëhet fjalë për sistemin e ngrohjes së 10 spitaleve. Deri më tani kanë përdorur mazut ndërsa prej vitit të ardhshëm do të përdorin lëndë që nuk e ndotin ajrin”, shprehet Taravari.
Pushteti qendror dhe lokal paralajmërojnë një sërë masash për zvogëlimin e ndotjes së ajrit në vend. Ndër masat afatmesme janë gazifikimi si dhe ulja e çmimit të ngrohjes qendrore për të stimuluar qytetarët të lidhen në sistemin e ngrohjes qendrore dhe për të shmangur ngrohjen me dru./EuroNews