Izet Curi, stilisti i cili e filloi karrierën e tij si punëtor rrobaqepës në Shkup, arriti në majat e profesionit, në studiot më prestigjioze të modës parisiene.

Edhe si fëmijë, ai zhvilloi një dashuri për modën, por askush, madje as ai vetë, nuk mund ta merrte me mend se do të depërtonte në skenën botërore të modës në Paris.

I rritur në një familje të madhe me nëntë fëmijë, Izeti u drejtua në rrobaqepësi nga nëna e tij pasi ajo mbeti e ve.

"Nëna ime na detyroi të shkonim në shkollë dhe në zanat, që të ishim financiarisht të pavarur", thotë stilisti 76-vjeçar Izet Curi për Anadolu.

Fillimisht, thotë ai, nuk mund të pajtohej me idenë për t'u bërë rrobaqepës sepse bashkëmoshatarët e tij në atë kohë talleshin me të, por më vonë kur filloi të mësonte nga mjeshtri i tij, ai e kuptoi se kjo ishte rruga e duhur për të.

Në moshën 14-vjeçare, ai tashmë filloi të qep këmisha dhe pantallona për grupet e njohura muzikore të asaj kohe në Shkup.

Me mbështetjen e mjeshtrit Tome Malinovski, ata së bashku hapin një dyqan në Shkup, i cili rritet në një nga butikët më të njohur në qytet dhe më gjerë.

"Ne ishim të njohur në gjithë Jugosllavinë, kishim klientë edhe nga Sarajeva, madje edhe (Goran) Bregoviqi me grupin e tij na vinin për këmisha", tregon Curi.

 

- Hapat e parë në Paris

Së shpejti, me ambiciet dhe dëshirën e tij për dije, në moshën 23-vjeçare, Curi niset për në Paris, ku përballet me sfidat e vërteta të skenës botërore të modës.

"Kur shkova në Francë, u përgatita për një vit me idenë, kisha mjaft informacione, por kur shkova atje, ishte diçka tjetër. Mendova se isha dikush, kur pashë vitrinat, çfarë punonin aty, thash 'jam askushi'", tha Izeti për AA.

Fillimisht punoi në një atelie të vogël, por me talentin dhe këmbënguljen e tij arriti të punësohej në shtëpinë prestigjioze të modës "Hermes".

"Kisha qepur një model, e ka dorëzuar pronari, pastaj ka ardhur një grua nga kompania që kishte porositur të pyesë se kush e ka qepur modelin. Unë u frikësova. Ajo tha 'ja një kartëvizitë, ejani të na vizitoni'. Ishte kompania 'Hermes', që në fillimet e mia", tha Izeti.

Këtu fillon fama e tij ndërkombëtare dhe puna me disa nga emrat më të mëdhenj në industrinë e modës. Ai gjithashtu ka punuar me yje si Sean Connery, i cili ishte idhulli i tij që në fëmijëri, dhe kur e takoi, Curi ndjeu sikur po luante në një film "James Bond".

"U mahnita kur e pashë, mendova se isha pjesë e një filmi", thotë Izeti.

 

- Bashkëpunimi me Thierry Mugler-in dhe modën avangarde

Puna në "Hermes" i sjell atij mundësi për të takuar gjigantë të modës, duke përfshirë stilistin avangardë Thierry Mugler.

Mugler e ftoi Izetin të bashkohej me ekipin e tij dhe ata punuan së bashku për 15 vjet.

"Mugler ishte një nga dy ose tre artistët më të mëdhenj të avangardës të shekullit të 20-të. Ndikimi i tij në modë është i madh", thotë Curi, duke shtuar se ishte një periudhë në të cilën ai fitoi përvojë të paçmuar.

Nëpërmjet bashkëpunimit me Mugler-in, Izeti merr shansin të punojë me një tjetër mjeshtër të modës, Azaedin Alaia.

"Alaia ishte një legjendë e modës së lartë. Krijimet e tij kishin një veçanti që rrallë gjendet", përshkruan Curi.

 

- "Rrobaqepësi i yjeve"

Duke punuar me këta gjigantë të modës, Izet Curi ndërton reputacionin e tij në industrinë globale të modës dhe aftësitë e tij e bëjnë të punojë me yjet më të mëdhenj në botë.

Ndër njerëzit e famshëm për të cilët ka punuar janë Madonna, Monica Bellucci, Sean Connery dhe shumë aktorë dhe muzikantë të tjerë të famshëm.

"Kur Mugler vinte në atelie me një person të famshëm, më thërriste mua për të marrë masa", thotë Curi, duke sqaruar se këtu krijohej afiniteti me personat e famshëm.

 

- Kthimi në Shkup dhe transferimi i njohurive

Pas përvojës së pasur dhe suksesit në skenën botërore, Curi vendosi të kthehet në Shkup dhe t'ua përcjellë njohuritë e tij brezave të ardhshëm.

Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ai themeloi Institutin Ndërkombëtar të Modës "Izet Curi", ku trajnon stilistë të ardhshëm dhe i inkurajon ata të zhvillohen dhe të krijojnë.

"Shkupi është një vend shumë i rëndësishëm për mua. Jam i sigurt se ky rajon do të jetë burim i stilistëve të rinj për të gjithë Evropën", thotë me krenari Curi.

 

- Kapela e tij, simbol i miqësisë dhe respektit

Curi dallohet edhe për kapelet e tij të qëndisura me dorë, të cilat janë shenja e tij dalluese, deklaratë e modës dhe simbol i një miqësie të madhe. Ai mori si dhuratë një kapele nga një mik i ngushtë, një fotoreporter i luftërave në botë, i cili vdiq tragjikisht në Çeçeni.

"Ne ishim miq mjaft të ngushtë, ai erdhi tek unë për darkë dhe më dha kapelën dhe bëmë një foto. Ai vdiq në Çeçeni dhe unë vendosa kapelën time në funeralin e tij dhe nuk e kam hequr që atëherë", tha Izeti për Anadolu.

 

- Një mesazh për brezat e ardhshëm

Me përvojën dhe suksesin e tij, Izet Curi ka një mesazh për të gjithë dizajnerët e ardhshëm:

"Gjithmonë besoni në atë që doni dhe kurrë mos keni komplekse. Unë jam nga Gazi Baba dhe kam punuar në shtëpitë më luksoze të modës në botë. Nëse e njeh profesionin tënd, nuk ka nevojë të kesh komplekse se nga je. Besoni në idenë tuaj dhe realizojeni atë".

Historia e Curit dëshmon se talenti, ambicia dhe puna e palodhur mund ta çojnë këdo në majat më të larta./aa