Mes muraleve të shumta që zbukurojnë kryeqytetin, veçohen dy, ajo e shkrimtarit Ismail Kadare dhe e këngëtares Vaçe Zela.

Super Muralia e të mirënjohurës Vaçe Zela u realizua në mjediset e Radio Televizionit Shqiptar sipas fotografisë së Nuri Çumanit që ka përjetësuar ikonën e këngës shqiptare. Ajo është vepër e argjentinasit Maximiliano Bagnasco kuruar nga piktori Helidon Haliti që tashmë gjendet e përfunduar në katin e parë të RTSH.

Vaçe Zela, u nda nga jeta 10 vjet më parë dhe ka lënë pas një trashëgimi të pasur  në muzikë ku repertori i saj numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj..

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Maximiliano Bagnasco ka realizuar edhe muralen kushtuar kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare ndarë nga jeta në 1 korrik të këtij viti.

Portreti i gjeniut të letërsisë shqipe, i përjetësuar në murale gjendet gjithashtu në Tiranë tek Bulevardi i Ri.

Kadare ishte një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash, ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi. Ismail Kadare  mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij.

Këto murale janë pjesë e festivalit “Mural Fest”.

Artisti i muraleve Bagnasco ishte edhe një vit më parë në Tiranë kur realizoi muralen e Lionel Mesit, e cila duke u shpërndarë nëpërmjet rrjeteve sociale, mori menjëherë famë ndërkombëtare.

Këto dhe murale të tjera që i kanë dhënë gjallëri Tiranës, janë pjesë e Mural Fest, festival i cili tashmë është në edicionin e tij të gjashtë./ata