Kryeministri francez, Michel Barnier dhe ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, do të marrin pjesë në ndeshjen e futbollit midis Francës dhe Izraelit këtë të enjte në Paris, një ngjarje e diskutueshme për shkak të sulmeve të pamëshirshme të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit që kanë marrën jetën e dhjetëra mijëra njerëzve.

‘Le Parisien’ raportoi se Barnier dhe Sarkozy do të shoqërojnë presidentin Emmanuel Macron të enjten në mbrëmje gjatë ndeshjes së UEFA Ligës së Kombeve, që do të zhvillohet në stadiumin ‘Stade de France’ në Saint-Denis në periferi të kryeqytetit francez.

Të dielën, shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez, paralajmëroi për “rrezikun e lartë” të ndeshjes mes një klime të tensionuar gjeopolitike. Ai tha se rreth 4 mijë oficerë të policisë do të vendosen për të garantuar sigurinë gjatë ndeshjes.

Megjithatë, sipas kanalit televiziv francez ‘RMC Sport’, shitja e biletave mbetet e ulët, me vetëm 20 mijë nga kapaciteti i stadiumit prej 80 mijë vendesh.

Ndeshja ka tërhequr kritika të ashpra nga grupet e avokimit. Të martën e javës së kaluar, nisma ‘Ndal Gjenocidin’ kërkoi anulimin e ndeshjes Francë-Izrael gjatë një takimi me drejtorin e përgjithshëm të Federatës Franceze të Futbollit (FFF), pas një proteste në selinë e FFF-së ku aktivistët pushtuan ambientet.

Sipas nismës ‘Ndal Gjenocidin’, FFF-ja i tha delegacionit se e “kupton” zemërimin e shkaktuar nga kjo ngjarje. Madje, zyrtarët e FFF-së pranuan se që në fillim i kanë shprehur “shqetësimet” e tyre për këtë ndeshje tek UEFA dhe tek autoritetet franceze.

Por FFF-ja tha se vendimi është jashtë kontrollit të tyre dhe theksoi UEFA-n si vendimmarrës të vetëm.

Sipas tyre, Franca u “urdhërua” të zhvillojë ndeshjen pavarësisht tensioneve të shkaktuara nga situata në Palestinë.

Policia e trazirave në detyrë

Të premten e kaluar, Franca shprehu kundërshtimin e saj për zhvendosjen e ndeshjes së ardhshme të futbollit, duke pretenduar se kjo do të përfaqësojë dorëzimin ndaj kërcënimeve të dhunës dhe antisemitizmit.

I vendosur në periferinë veriore të kryeqytetit francez, përkatësisht në Saint-Denis, stadiumi ‘Stade de France’ është stadiumi më i madh francez, me një kapacitet prej rreth 80 mijë vendesh.

Rreth 4 mijë forca të ligjit do të mobilizohen si në Paris ashtu edhe në Sait-Denis për të garantuar sigurinë për ekipin izraelit, ndërsa hoteli ku do të qëndrojë kombëtarja izraelite do të jetë nën vëzhgim nga policia.

Policia elitare franceze e trazirave ‘CRS’ do të angazhohet gjithashtu në të gjithë Parisin.

Rreshtat më të afërt të stadiumit me fushën e futbollit do të mbahen bosh gjatë ndeshjes për të shmangur pushtimin në fushë./aa