Ish-anëtari i Gardës Kombëtare Ajrore, Jack Teixeira, i cili u akuzua për postimin e dokumenteve që përmbanin informacione të klasifikuara të ushtrisë amerikane në internet, u dënua me 15 vjet burg.
Është bërë i ditur vendimi për Teixeira-n, i cili u ndalua në prill të vitit 2023 dhe pranoi akuzat ndaj tij në mars të këtij viti. Në deklaratën e tij para seancës, Teixeira tha: "Kërkoj falje për të gjithë dëmin që shkaktova. E di që kam përgjegjësi të plotë dhe i pranoj pasojat".
Gjyqtarja e rrethit të Massachusetts-it, Indira Talwani tha se 22-vjeçari Teixeira u dënua me 15 vjet burg për nxjerrjen e dokumenteve që përmbanin informacione sekrete për ushtrinë.
Në mars, Teixeira ra dakord me prokurorët dhe pranoi se ai fshehu informacionin e mbrojtjes kombëtare të SHBA-së dhe i publikoi qëllimisht disa herë me përdorues të tjerë në platformën e mediave sociale Discord.
- Ngjarja
Jack Teixeira, anëtar i krahut të inteligjencës së Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts-it, u arrestua më 14 prill 2023, pasi dyshohej se kishte publikuar dokumente sekrete të ushtrisë amerikane në internet.
Dokumentet që Teixeira dyshohet se zbuloi në internet, që mbanin stemën e Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, përfshinin informacione për dobësitë e mundshme në mbrojtjen e Ukrainës, e cila është në luftë me Rusinë, dhe numrin e forcave speciale të Mbretërisë së Bashkuar që dyshohet se janë aktive në vend.
Dokumentet përfshinin informacione ushtarake dhe aktuale për çështje të rëndësishme, përfshirë aktivitetet e inteligjencës lidhur me programin bërthamor të Rusisë, Izraelit, Kanadasë, Koresë së Jugut, Kinës dhe Iranit.
Thuhet se dokumentet e shpërndara nga Teixeira në internet ishin po aq të rëndësishme sa skandali i WikiLeaks-it i vitit 2010, në të cilin u publikuan dokumente që vërtetonin krimet e kryera nga SHBA-ja në Irak dhe Afganistan dhe rrjedhja e aktiviteteve të vëzhgimit dixhital nga ish-shtetasi amerikan dhe punonjësi i Agjencisë së Sigurisë (NSA) Edward Snowden në vitin 2013./aa