Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, ka pushuar çështjen ndaj deputetit socialist Agron Çela.

Procedimi penal për veprën ‘Mashtrimi’ ishte regjistruar pas kallëzimit të një shtetasi.

Kujtojmë se deputeti socialist i Shkodrës është paraqitur në SPAK edhe më parë, për çështjen CEZ-DIA. I pyetur asokohe nga gazetarët se për çfarë u pyet nga prokurorët e posaçëm, ai tha: “isha për punët e mia.

Por deputeti tashmë i PS, dikur një prej njerëzve më të besuar të ish- Presidentit Ilir Meta, sipas SPAK ka përfituar para nga DIA e Kastriot Ismaliajt në një kohë kur shoqëria ku ai ishte aksioner nuk ka dhënë asnjë shërbim.

“Në lidhje me shoqërinë BTT me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë hetimi ka provuar se kjo shumë ka pasur si përfitues fundor shoqërinë ‘Xhenis’ shpk, me ortak shtetasin Agron Çela i cili në vitin 2013 zgjidhet deputeti i Kuvendit të Republikës, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim”, thotë SPAK.

Njoftimi i GJKKO:

Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 15.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkesë për pushimin e procedimit penal nr. 22 të vitit 2024”.

  1. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 328/1 gërma “b”, 329/a dhe 329/b pika 3 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 123, date 13.11.2024, vendosi:
  2. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
  3. Pushimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 22 i vitit 2024 i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistruar për veprën penale “Mashtrimi” e parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal, pasi në zbatim të nenit 328/1 pika 1, gërma “b”, të K.Pr.Penale, nga hetimet e kryera fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
  4. Shpenzimet proceduriale hetimore të parapaguara nga shteti lihen siç janë bërë.
  5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit./GazetaShqiptare