Deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj reagoi sot ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha në seancë dëgjimore për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke deklaruar se rritja e fondeve do të shkojë për “dardha dhe kumbulla”.

Në Komisionin për Sigurinë ministri i Brendshëm Ervin Hoxha paraqiti parashikimet në buxhetin e vitit të ardhshëm për institucionin që drejton. Alibeaj e cilësoi të mirë rritjen me 20% të buxhetit, por kjo, tha ai, nuk do të thotë asgjë.

“Kur thuhet ka më tepër buxhet, për kaq vite qeverisje, mendoj se është buxhet që shkon për dardha dhe kumbulla”, u shpreh Alibeaj.

Alibeaj pyeti ministrin e Brendshëm për disa çështje kryesore për buxhetin e Ministrisë së Brendshme.

“Sa fonde janë dedikuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe pajisjeve teknologjike për policinë?” – pyeti Alibeaj.

Ministri nënvizoi se është parashikuar buxhet 60 milionë euro për investimin e Smart City.

“Në lidhje me Smart City, ju kërkoni informacion, dëshiroj të theksoj se është një nga projektet që e lartëson Policinë e Shtetit. Synojmë modernizimin e të gjithë sistemeve digjitale duke u përfshirë në një sistem. Kemi parashikuar buxhet 60 milionë euro për investimin e Smart City. Ky sistem është një sistem që do të kërkojë kohën e duhur në mënyrë që të kemi një sistem gjithëpërfshirës”, u shpreh Hoxha.

I pyetur nga Alibeaj në lidhje me buxhetin për trajnimin e policisë, Hoxha tha se janë parashikuar që të zhvillohen në Akademinë e Sigurisë me një buxhet prej rreth 5 milionë eurosh.

Alibeaj pyeti ministrin edhe për masat që do të merren që të mos abuzohet me financat.

“Marr si shembull SPAK, që po heton dy nga skandalet më të mëdha, njëri me rikonstruksionin e objekteve të Policisë së Shtetit dhe tjetri për tenderin e uniformave të policisë. Cilat janë masat?” – pyeti Alibeaj.

Hoxha tha se janë çështje në hetim.

“Disa ish-punonjës janë aktualisht nën hetim për çështjet që ju përmendët. E para, rikonstruksioni i disa godinave dhe komisariateve dhe çështja e dytë, hetimi ndaj disa punonjësve që kanë qenë pjesë e grupit të punës për uniformat, janë çështje në hetim”, tha Hoxha.

Deputeti i opozitës, nënvizoi edhe disa nga arsyet se pse nuk do ta votojë këtë buxhet.

“Pse nuk e votoj unë këtë buxhet? Kam dashamirësinë më të madhe që ato 8000 persona të kenë mbështetje, por sot marrin tollona. Mendoni sa dinjitoze është kjo për Policinë e Shtetit. Edhe pse ka rritje me 20% nga viti i kaluar. Asnjë kryeministër, e ca më pak ministër, s’do ta bënte dysh fjalën për më shumë investime në rritje për Rendin dhe Sigurinë. Kjo qeveri tregon se nuk e ka Rendin dhe Sigurinë primare. Prandaj ndodhin historitë e rikonstruktimeve”, tha Alibeaj.

“Ku shkojnë 20%? Këto shkojnë 60 mln euro për Smart City. Një nga fazat që e bën AKSHI, ca para që dedikohen për ju shkon dhe i merr AKSHI. Figura e policit sot është e nënvlerësuar. Shtylla e shtetit, që është Policia e Shtetit, nuk njeh një rritje të nivelit të pagave”, u shpreh Alibeaj./ata