Zonat e mbrojtura çdo vit po vizitohen gjithnjë e më shumë nga vizitorë vendas e të huaj.

Tashmë vizitorët janë pjesë e ecjeve në natyrën shqiptare, ku eksplorojnë zonat e mbrojtura dhe shtigjet turistike të tyre .

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “4.9 milionë vizitorë nga janari në tetor janë shënuar në zonat tona të mbrojtura nga parqet kombëtare, parqet natyrore e deri te monumentet e natyrës”.

“Kjo shifër tejkalon krejt vitin 2023, si prova më e qartë e shtrirjes së turizmit gjatë gjithë vitit, diversifikimit dhe zhvillimit të ekoturizmit , teksa vetëm gjatë muajit tetor janë shënuar 440 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura”, tha Kumbaro.

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përgjatë 19 muajve, 3,2 milionë vizitorë kanë qenë vendas dhe 1,7 milionë vizitorë të huaj.

Parqet më të vizituar gjatë kësaj periudhe janë : Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” 78 mijë vizitorë; Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”  29 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Butrint 17 mijë vizitorë.

Turizmi natyror dhe zonat e mbrojtura ishin në fokus të buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2025, me dy projekte kryesore siç është ngritja e infrastrukturës në Eko-Park Ulza dhe Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Në prezantimin e buxhetit 2025 për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Kumbaro tha se ky buxhet është 3.9 miliardë lekë dhe ka në fokus zonat e mbrojtura dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Një ditë më parë, u publikuan edhe shifrat e vizitorëve të huaj, të cilët nga janari në tetor shënuan 10,4 milionë./ata