Në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u promovua libri “Kompleksi ligatinor i Kune-Vainit, qasja ekologjike”.
Në këtë botim jepen për herë të parë në Shqipëri gjetjet shkencore gjithëpërfshirëse gjatë punës në kuadër të Programit Kërkimor të Përbashkët: “Qasja ekologjike e kompleksit lagunor të Kune-Vainit, Lezhë”. Këto të dhëna nga secili grup janë paraqitur në mënyrë të përmbledhur edhe në ngjarje shkencore, ose janë botuar në revista shkencore, brenda ose jashtë vendit.
Por këtu ato vijnë më të plota dhe gjithëpërfshirëse, sidomos për përmbajtjen e të dhënave dhe diskutimin e tyre, paraqitjen tabelare, grafike ose ilustrimin e mirë me foto të llojeve, habitateve sidomos të llojeve mikroskopike.
Të grupuara në një vëllim të vetëm ato ndihmojnë më mirë në njohjen tërësore të këtij ekosistemi me rëndësi për Lezhën, vendin dhe gjithë rajonin.
Rezultatet dhe rekomandimet e këtij studimi së bashku ndihmojnë administratën e Zonave te Mbrojtura Lezhë, vendimmarrjen vendore dhe ekspertizën mjedisore vendase në njohjen më mirë të gjendjes, por jo vetëm, edhe në ruajtjen dhe ripërtëritjen ekologjike në të ardhmen, për një menaxhim më të mirë, në përmbushjen e standardeve të kërkuara në shkallë ndërkombëtare./ata