Në ditën Botërore të Diabetit, në sheshin Skënderbej në Tiranë është ngritur një stendë ku ofrohen analiza falas. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se prej janarit të këtij viti, fishat e diabetit ofrohen falas për personat mbi 65 vjeç.

“Në buxhetin e këtij viti janë parashikuar se si do të shtohen në mënyrë progresive 65 vjeçarët që i përfitojnë këto fisha. Vetëm këtë vit, janë shtuar 4500 persona, që do të kenë mundësi të përfitojnë nga ky program”, tha Rakacolli.

Në Ditën Botërore të Diabetit, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik janë rreth 537 milionë njerëz në mbarë botën të diagnostikuar me diabet, ndërkohë që jeta e tyre mund të jetë një luftë e përditshme. 14 nëntori si Dita Botërore e Diabetit është vendosur për nder të ditëlindjes së Frederik Banting, i cili së bashku me Charles Best, të dy shkencëtarë kanadezë, arritën të izolojnë nga pankreasi i qenit insulinën, e cila ndryshoi dhe shpëtoi jetën e diabetikëve në mbarë botën./ata