Akademia e Shkencave të Shqipërisë përuroi libri “The earthquake of 26 november 2019 and what can we learn” (“Tërmeti i 26 nëntorit dhe refleksionet e nxjerra prej tij”) me autorë akademikun Rrapo Ormënin dhe sizmologun nga Turqia, prof. Serkan Ozturk.
Veprimtaria u drejtua nga akademiku Ilirjan Malollari, i cili e vlerësoi librin për analizën e thelluar dhe gjithëpërfshirëse të një ngjarjeje tërmetore, ku trajtohen në mënyrë shkencore aspekte të rëndësishme, si përhapja e valëve sizmike, ndërgjegjësimi për rreziqet, për procedurat e evakuimit, si dhe për masat që duhet të marrë qeveria për dëmet, për evakuimin dhe ndërtimet pa kriter.
Akademiku Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi punën e autorëve Rrapo Ormëni dhe Serkan Öztürk për produktin shkencor dhe mesazhet që ka libri për të gjitha kategoritë e komunitetit, veçanërisht për vendimmarrësit kryesorë të ekzekutivit dhe këshilltarët e tyre, për të përgatitur strategji më të mira për të ardhmen.
Veprimtarinë e përshëndeti edhe Metin Bulut, këshilltar i arsimit në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Shqipëri, i cili vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e shkencës dhe arsimit.
Akademiku Rrapo Ormëni bëri një prezantim të shkurtër të librit dhe foli për bashkëpunimin e ngushtë me sizmologun nga Turqia, prof. Serkan Ozturk bashkautor i librit.
Ormëni tha se refleksionet e nxjerra nga tërmeti i 26 nëntorit për përgatitjen dhe mbrojtjen nga tërmetet mund të shërbejnë si udhëzues i vlefshëm për individët dhe komunitetet që dëshirojnë te vetëmbrohen dhe të minimizojnë dëmet nga tërmetet e ardhshme./ata