Ushtria izraelite shkatërroi dy shtëpi palestineze dhe një objekt turistik në Bregun Perëndimor të pushtuar me arsyetimin se ato ishin ndërtuar pa leje.
Aktivisti palestinez, Mutaz Bisharat, i njohur për luftën e tij kundër uzurpimit të tokave palestineze, për Anadolu tha se forcat izraelite shkatërruan një shtëpi që i përkiste Saleh Fakha në fshatin Kardela në veri të rajonit të Luginës së Jordanit në Bregun Perëndimor dhe zhvendosën familjen e tij.
Bisharat theksoi se Izraeli e kreu prishjen me arsyetimin se shtëpitë pa leje ishin ndërtuar në zonat e klasifikuara si zona "C".
Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët okularë, buldozerët e ushtrisë izraelite në fshatin Ez-Zaviye, në perëndim të qytetit Selfit në Bregun Perëndimor, shkatërruan objektin turistik që i përkiste palestinezit Muhamed Amir, me pretendimin se ishte ndërtuar "pa licencë".
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, ushtria izraelite shkatërroi gjithashtu një shtëpi në qytetin e Khalilit (Hebron), që ndodhet në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Forcat izraelite bastisën qytezën Beit Ummar me një numër të madh automjetesh ushtarake dhe shkatërruan shtëpinë e palestinezit Eyad Avad, me pretendimin se ajo ishte "e palicensuar".
Në kuadër të "Marrëveshjes së Dytë të Oslos" të nënshkruar ndërmjet Palestinës dhe Izraelit në vitin 1995, Bregu Perëndimor, u nda në zonat A, B dhe C.
Menaxhimi administrativ dhe i sigurisë i "Zonës A", që mbulon 18 për qind të Bregut Perëndimor të pushtuar, iu la Palestinës ndërsa menaxhimi administrativ i "Zonës B", që ishte 21 për qind, iu la Palestinës ndërsa "siguria" e saj iu dha Izraelit./aa