Ministri i Bujqësisë së Azerbajxhanit, Majnun Mammadov, në një deklaratë për Anadolu tha se Türkiye dhe Azerbajxhani vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të fuqishëm në bujqësi, përfshirë blegtorinë, vaksinimin e kafshëve dhe menaxhimin e tokës dhe ujit.
Duke folur për Anadolu-n në margjinat e Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29) që po mbahet në Baku, Mammadov deklaroi se platforma është një ngjarje e rëndësishme për të gjitha vendet dhe është ngjarja më e madhe ndërkombëtare që Azerbajxhani ka organizuar ndonjëherë.
Ministri theksoi se ndryshimet klimatike ndikojnë veçanërisht në bujqësi, më shumë se sektorët e tjerë.
"Azerbajxhani ka përjetuar pasojat e ndryshimeve klimatike në vitet e fundit, siç mund të shihet nga thatësirat, reshjet joproporcionale të shiut dhe ulja e nivelit të ujit në lumenj", tha ai.
Mammadov tha se në kuadër të COP29, ministria që udhëheq ai do të prezantojë një iniciativë për klimën më 19 nëntor, datë e cila korrespondon me Ditën e Ushqimit, Bujqësisë dhe Ujit.
"Shpresoj se kjo nismë do të jetë gjithëpërfshirëse, të përmbajë të gjitha propozimet për sektorin e bujqësisë", tha ministri.
Mammadov gjithashtu tha se Ministria e Bujqësisë së Azerbajxhanit dhe homologu i tij turk do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të ngushtë./aa