Popullsia e vendit po plaket me shpejtësi, por në treg mungojnë shërbime dhe mallra për të moshuarit, që mund të jenë një hapësirë e re për biznes për sipërmarrësit. Personat mbi 65 vjeç zunë 16% të popullsisë në janar 2022, nga 5% më 1990.

 

Të moshuarit mbi 80 vjeç janë rreth 87 mijë, me perspektivë rritje në vitet në vijim. Në treg mungojnë shtëpitë e të moshuarve, qendrat ditore, veshje dhe furnitura e shtëpisë për të moshuarit. Tregu i produkteve farmaceutike, në rritje të shpejtë, nga plakja e popullsisë, ndërkohë një seri profesionesh dhe shërbimesh për moshat e vjetra mungojnë, që nga mjekët dhe infermierët geriatër, kujdestarët e shtëpisë, shërbime asistencë për të moshuarit etj.

 

Reklamat televizive për produkte, që ndihmojnë lehtësimin e dhembjes së kockave në moshat e vjetra, vitamina dhe suplemente për gratë në menopauzë, dikur dominoheshin nga produkte të tilla si bebelino, ushqime, shkolla dhe programe arsimore për fëmijë. Në mungesë të shifrave të sakta të popullsisë, marketingu është treguesi më i qartë se tendencat e konsumit, gjithnjë e më shumë, kanë në fokus një popullsi të moshuar.

 

Të dhënat nga importet dhe tregtia me pakicë tregojnë se produktet që synojnë moshat e vjetra po rriten me shpejtësi, ndërsa importet e mallrave për fëmijë po shënojnë rënie.

 

Në vitin 2022 u importuan 5,918 tonë medikamente, me rritje 52% në krahasim me vitin 2010, në një kohë që popullsia e vendit është në rënie.

 

Zbrazja e vendit nga të rinjtë, për shkak të emigracionit të lartë dhe rënia e lindjeve po bën që popullsia e mbetur në vend të dominohet nga moshat e vjetra. Realiteti u pa qartë edhe në ditën e Shën Valentinit.

 

Kryeqyteti i vendit, që dikur mbushej me çifte të reja, këtë vit është i zbrazur. Këtë 14 shkurt, mediat e patën shumë të vështirë të siguronin fotografi për të ilustruar pamjet e festës, përveç zbukurimeve që Bashkia e Tiranës ishte kujdesur posaçërisht.

 

Kliti Hoti, me aktivitet në sektorin e farmaceutikës, pohon se, rritja në sasi e importeve të medikamenteve po udhëhiqet nga plakja e popullsisë dhe rritja e ndërgjegjësimit për të trajtuar shëndetin, por ai shtoi se popullsia në Shqipëri ka ende nevoja të pambuluara me medikamente në raport me vendet e tjera të rajonit.

 

Tendencat e konsumit lajmërojnë rritje të mallrave dhe shërbimeve për moshat e vjetra, por ndërkohë, infrastruktura për këtë qëllim është larg nevojave. Hapësirat për të bërë biznes me një popullsi në plakje janë të larta. Mungojnë azilet, infrastruktura fizike dhe një sistem shëndetësor i specializuar për këto mosha.

 

Mjekët dhe infermierët geriatër janë gati një profesion i panjohur në vend.

 

Nga ana tjetër, mijëra pensionistë jetojnë të vetmuar, pa shërbime dhe të ardhura për të pleqëruar me dinjitet. Një seri shërbimesh dhe mallrash për moshat e vjetra aktualisht mungojnë në treg dhe janë një hapësirë e pashfrytëzuar për biznes.

 

Plakja e popullsisë ndikon në çdo aspekt të shoqërisë dhe veprimtarisë ekonomike. Të moshuarit përbëjnë një grup në rritje të konsumatorëve me nevoja specifike dhe blerje të konsiderueshme. Tendencat demografike tregojnë se kompanitë duhet të nxiten për të sjellë në treg më shumë produkte për të gjitha moshat.

 

Nevojat dhe preferencat e të moshuarve shpesh nuk lidhen me interesat e biznesit, por në dekadat në vijim, shumë kompani duhet të përshtasin planet e tyre për këtë grup të ri konsumatorësh.

 

Azilet, hapësira të pashfrytëzuara për biznes

 

Brezi i sotëm i pensionistëve e jetoi rininë me mungesë kulture dhe njohurish për të siguruar mbrojtje financiare për pleqërinë.

 

Një shoqëri e mbështetur në një traditë të brezave ku fëmijët kujdesen për prindërit në pleqëri po venitet nga nivelet e larta të emigracionit që kanë shkëputur lidhjet fizike ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Edhe pse në tranzicion, solidariteti mes brezave ende funksionon në aspektin financiar, pasi emigrantët shqiptarë vazhdojnë të çojnë të ardhura te familjet e tyre.

 

Në vitin 2021, këto prurje ishin më shumë se 760 milionë lekë, gati sa gjysma e shpenzimeve buxhetore për pensionet. Për shumë të moshuar, jeta do të lehtësohej po të funksiononin azilet, të cilat sot mungojnë në raport me nevojat që ka vendi për këto shërbime.

 

Njësia e Kombeve të Bashkuara, për çështjet e punësimit (ILO) vitin e kaluar, në një studim të posaçëm njoftoi se, popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe aktualisht rreth 91 mijë persona mbi 65 vjeç kanë nevojë për kujdesje sociale afatgjatë, ndërkohë që vetëm 1.6% e tyre përfitojnë mbrojtje.

 

Azilet publike mungojnë, ndërsa nismat për hapjen e shtëpive të kujdesit për të moshuarit mungojnë. Mirela, një grua shqiptare, që shërben në një shtëpi të moshuarish në Milano prej 20 vitesh ka dëshirë të sjellë këtë përvojë në Shqipëri, por tha se e ka vështirë për të gjetur staf që të ketë aftësitë për t’u kujdesuar për të moshuarit.

 

Disa biznese nisën të investonin në qendra të posaçme për të moshuarit, por kërkesa e shpejtë nga emigrantët për shtëpi i zhvendosi projektet e tyre.

 

Numri i pensionistëve do të rritet me shpejtësi në vitet në vijim, për shkak të bumit të lindjeve në vitet 1950-1960. Në vitin 2021, 1 në 7 persona ishte mbi 65 vjeç. Vlerësohet se 1 në 3.8 persona do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2050.

 

Të dhënat demografike tregojnë se, popullsia shqiptare po plaket me shpejtësi. Ndërmjet viteve 1990 dhe 2022, duke zënë rreth 16% të totalit të popullsisë më 2021 nga 5.5% më 1990. Në të ardhmen, popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart do të rritet në 623 mijë persona dhe pjesa e saj në totalin e popullsisë do të arrijë në 26.4% deri në vitin 2050.

 

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në shkallë vendi funksionojnë rreth 39 qendra për të moshuar, nga 259 qendra shërbimesh në Shqipëri. 14 qendra ose 36% e tyre ofrojnë shërbime për të moshuar në Qarkun e Tiranës, ndërsa 25 të tjerat ofrojnë shërbime, përkatësisht në Korçë (6 qendra), Shkodër (5 qendra), Berat (3 qendra), Durrës, Vlorë dhe Elbasan (2 qendra) dhe Lezhë, Dibër, Gjirokastër, Fier e Kukës (1 qendër).

 

Këto qendra nuk janë të mjaftueshme as 2% të të moshuarve në nevojë.

 

Qendra ditore për të moshuarit, mundësi e re për biznes

 

Në dekadën e fundit lulëzoi një biznes interesant i qendrave ditore për fëmijë. Këto qendra ofrojnë shërbime për fëmijët pas mësimit deri në orarin e kthimit të prindërve nga puna dhe gjatë pushimeve të verës, duke ofruar asistencë për detyra, ushqim, kurse dhe programe të tjera argëtuese. Një biznes i tillë është mjaft interesant edhe për të moshuarit, që në Shqipëri mungojnë.

 

Shoqata e Gjeriatrisë ka evidentuar se shumica dërrmuese e të moshuarve do të dëshironte të jetonte në shtëpitë e tyre, në komunitetin ku ka lidhjet me familjarët dhe fqinjët. Mjediset publike, të tilla si qendrat ditore, janë një element i rëndësishëm që përmirëson cilësinë e jetës në moshat e treta.

 

Nisma të tilla mund të merren edhe nga institucionet publike si Bashkitë dhe njësitë administrative, por mund të jenë edhe një biznes privat i licencuar.

 

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se aktualisht, vetëm 20 bashki ofrojnë nga një qendër ditore për të moshuarit. Vetëm 3000 të moshuar vizitojnë të paktën një herë në muaj një qendër ditore. Të dhënat zyrtare tregojnë se vendit i mungojnë totalisht qendrat ditore për të moshuarit dhe është një hapësirë e pashfrytëzuar nga sipërmarrësit.

 

Farmaceutika, hapësira për rritje nga plakja

 

Produktet farmaceutike kanë shënuar rritje konstante në sasi vitet e fundit. Nga viti 2010, importet e këtij grupi u rritën me mbi 52%, teksa popullsia në të njëjtën kohë, në terma zyrtarë, shënoi rënie me rreth mbi 4%. Bizneset e sektorit të farmaceutikës presin rritje të mëtejshme të konsumit të produkteve farmaceutike, pasi tregu është i pamaturuar dhe nga ana tjetër, plakja e popullsisë rrit nevojën për trajtim mjekësor.

 

Vitet e fundit, marketingu në tregtinë me pakicë është përqendruar në medikamente që kanë fokus moshat e treta. Kliti Hoti, njohës i tregut të farmaceutikës, tha se volumet e importit të medikamenteve në vend po rriten për tre arsye.

 

E para, plakja e popullsisë; e dyta, përmirësimi i trajtimit të sëmundjeve dhe, e treta, rritja e prevalencave të sëmundjeve. Ai tha se, me gjithë këtë rritje, Shqipëria ende përdor gati 50% më pak produkte farmaceutike për shkak të shpenzimeve të ulëta të popullatës për këto mallra.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë se fondet publike për rimbursimin e barnave në vendin tonë në raport me shpenzimet e tjera janë më të ulëtat në Europë, sipas një analize të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në tregun shqiptar mungojnë një seri produktesh farmaceutike që trajtojnë problemet shëndetësore për moshat e vjetra.

 

Ministria e Shëndetësisë analizon se, të moshuarit kanë më shumë nevoja shëndetësore dhe sociale krahasuar me popullatën e përgjithshme. Ata janë në rrezik shumë më të lartë për sëmundje kronike, mbivendosje të shumë sëmundjeve kronike te një person, si dhe për humbje afatshkurtër apo afatgjatë të aftësive funksionale.

 

Anketa e përbashkët e Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT në vitin 2018 evidentoi se 1 në 5 femra dhe 1 në 6 meshkuj të moshës 15-59 vjeç raportuan se ishin diagnostikuar me të paktën një sëmundje jo të transmetueshme (hipertensioni, neoplazma, diabeti etj.).

 

Studimi i thelluar mbi gjendjen shëndetësore të popullatës gjeti se sëmundshmëria në vend është e nëndiagnostikuar, sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe depresionin. Trendi i hipertensionit në Shqipëri është përkeqësuar për meshkujt dhe femrat në 10 vitet e fundit.

 

Nga disa studime që ka kryer Shoqata e Gerontologjisë, e ngritur posaçërisht për evidentimin e problemeve të të moshuarve, rezulton se rreth 60% e të moshuarve në të gjithë vendin, vuan nga sëmundje kronike, ndërkohë që rreth 30-40% e medikamenteve përdoret nga mosha e tretë, duke ndikuar ndjeshëm në Buxhetin e Shtetit. Gjendja shëndetësore, sidomos e të moshuarve mbi 75 vjeç dhe të sëmurë, është faktor kritik përjashtimi.

 

Mungon furnitura dhe logjistika për të moshuarit

 

Duke qenë se të moshuarit janë një grup i popullsisë që konsumon pak dhe nuk ka fuqi blerëse në treg, ka shumë mungesa në produktet e dedikuara për këtë moshë, duke nisur që nga veshjet, furnitura e përshtatshme që i ndihmon ata në lëvizje etj.

 

Rozana Stafa nga Fashion Group, rrjeti më i madh i tregtimit të veshjeve me pakicë tha se, sektori i veshjeve është shumë dinamik dhe përshtatet lehtësisht me kërkesat e konsumatorit. Duke qenë se ky fenomen është mbarëbotëror, kurrsesi nuk mund të mos hasej edhe në Shqipëri. Ajo tha se kompanitë që operojnë në sektorin e modës natyrisht kanë nisur t’i përshtaten kësaj situate, duke i ardhur në ndihmë me mundësi zgjedhje çdo grupmoshe.

 

Mirëpo në njësitë e shitjes me pakicë në vend, shpesh mundësitë e zgjedhjeve për mosha të vjetra janë të kufizuara. Znj. Stafa tha se kjo vjen për faktin se bizneset e veshjeve, si çdo biznes tjetër, ofrojnë produkte nisur nga aftësia blerëse. Në vendin tonë, aftësia blerëse është e kufizuar në grupmoshën 20-45 vjeç, pasi kjo ka të ardhurat më të larta dhe për rrjedhojë dhe shpenzimi është më i lartë.

 

Tregu shqiptar i veshjeve nuk ofron shumë mundësi dhe cilësi për moshat mbi 80 vjeç, siç mund të gjenden në tregun europian.

 

Nevojat për kujdes intensiv për të moshuarit po rriten në Shqipëri, por nga ana tjetër, logjistika që mbështet me furnizime këtë kategori konsumatorësh pothuajse mungon. Në janar 2022, INSTAT numëroi se në Shqipëri jetojnë mbi 87,000 persona mbi 80 vjeç. Një familje që trajton me shërbim në shtëpi një person në këtë moshë e ka shumë të vështirë të sigurojë pajisje që lehtësojnë rutinën e tij.

 

Në Shqipëri mungojnë njësitë e shitjes me pakicë për të moshuarit, të cilat në vendet e Europës Perëndimore janë mjaft të përhapura. Farmacitë kanë nisur të fusin furnizime të posaçme, por tregu ofron shumë pak në raport me nevojat që paraqiten.

 

Kompanitë që ofrojnë pajisje për shtëpi nuk kanë thuajse asnjë produkt të përshtatshëm për moshat e thyera, si krevate të lëvizshme dhe pajisje të tjera që lehtësojnë përditshmërinë e të moshuarve. Pajisje që mund të manovrohen lehtë me prekjen e një butoni, si hapja e dyerve, dritareve apo krevate dhe dollapë, të nevojshme për moshat e vjetra.

 

Pajisje mjekësore si karriget me rrota, sistemet e shpërndarjes së oksigjenit, pajisjet ndihmëse të lëvizjes etj. Tualete të përshtatur për të moshuarit, mobilie si ashensor, banjot në këmbë do të kenë shumë shpejt një kërkesë në rritje edhe në vendin tonë.

 

Profesionet e reja që mungojnë për të moshuarit

 

Në Shqipëri, përveç logjistikës, ka mungesa të mëdha për profesione që kanë në fokus trajtimin e të moshuarve. Numri i të punësuarve, si kujdestar shtëpie, po rritet. Shumë të moshuar kanë nevojë për shërbim parukerie, ose berberi, ndaj ofruesit e këtij shërbimi do ta shohin si mundësi të re ofrimin e shërbimit në shtëpi.

 

Biznesi i transportit do të shënojë rritje, pasi të moshuarit do të kenë nevojë që të lëvizin me një mjet të posaçëm për rutinën e përditshme. Shqipëria, dhe sidomos Tirana, nuk ofron një transport publik komod, i cili është tërësisht i papërshtatshëm për të moshuarit.

 

Pamundësia për të lëvizur lirisht nga moshat e vjetra do të nxisë ofrimin e shumë shërbimeve në shtëpi. Ndër më të kërkuarat do të jenë biznesi i pastrimit dhe ai i kujdesit personal. Moshat e vjetra janë të prira të kenë shpesh kafshë në shtëpi dhe kujdes intensiv pastrimi. Një popullsi më e vjetër në moshë nxit bizneset e organizuara në shtëpi.

 

Bizneset e mjekësisë dhe ofrimi i tyre në shtëpi do të rriten. Të moshuarit lëndohen lehtë dhe për këtë arsye nevojat për imazheri në shtëpi do të rritet. Klinika të vogla, që do të mund të ofrojnë shërbime në shtëpi, do të nevojiten më shumë në të ardhmen edhe në Tiranë.

 

Bizneset e porosive në shtëpi do të kenë rritje në një popullsi që shkon drejt plakjes. Shërbime si pazaret ushqimore, blerja e barnave, porositë rutinë të ditës po ashtu do të rriten.

Njerëzit e moshuar kanë nevojë më të madhe për shërbimet e kujdesit shëndetësor si fizioterapi, terapi, masazh. Këto shërbime kërkojnë aftësi të specializuara dhe janë mundësi të shkëlqyera për të bërë biznes, duke pasur parasysh prirjet demografike të sotme.

 

Shqipërisë i mungon tërësisht edhe personeli i specializuar për trajtimin e të moshuarve. Gjeriatria nuk është një profesion që zgjidhet nga të rinjtë shqiptarë, ndërkohë nevojat janë në rritje.

 

Pensionet e ulëta dhe mospërshtatja e funksioneve dhe shërbimeve për të moshuarit rrezikon të krijojë një mjedis të vështirë për moshat e treta.

 

Gjithashtu, të moshuarit hasin më shumë barriera lidhur me aksesin në shërbimet shëndetësore e sociale krahasuar me shumë grupe të tjera të popullatës, përfshirë barriera të lidhura me lëvizshmërinë, informacionin dhe kostot.

 

Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor shqiptar ka shumë nevojë për përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fushën e gjeriatrisë dhe gerontologjisë. Humbja e aftësive funksionale, cenimi i lëvizshmërisë e autonomisë dhe sëmundje të rënda kronike kërkojnë shërbime të kujdesit afatgjatë, në nivel spitalor apo jashtëspitalor.

 

Gjithashtu, rreziku më i lartë për probleme të shëndetit mendor, për humbje të aftësive konjitive dhe mendore, shton nevojën për shërbime afatgjata, sidomos në shtëpi, ku një barrë e madhe mbahet nga familjarët, të cilët kanë nevojë për mbështetje.

 

Të plakur pa dinjitet

 

Plakja e popullsisë tashmë është një fenomen global dhe vendet e zhvilluara kanë nisur të përballen me këtë fakt dekada më parë. Por Shqipëria, një nga vendet me popullsinë më të re në moshë në vitet 1990, po plaket me ritme të shpejta, por vendit tonë i mungojnë tërësisht politikat dhe infrastruktura për të përballuar këtë proces të plakjes së popullsisë me dinjitet.

 

Burimi kryesor i të ardhurave për moshat e vjetra, pensioni në vitet në vijim do të vijë me rënie, pasi brezi që do të pensionojë nuk ka paguar sigurime gjatë viteve të tranzicionit, nuk plotëson vitet për një pension normal. Ende mungon kolona e dytë e pensioneve dhe kultura për t’u siguruar vullnetarisht në skemat private.

 

Në vitin 2021, masa mesatare e pensioneve të reja ishte 14,851 lekë, ose 2.5% më e ulët se në vitin 2021 në një kohë kur inflacioni po rritet me shpejtësi. Pensionet e reja parashikohet të vijnë në ulje nga viti në vit, pasi një gjeneratë e madhe emigrantësh dhe pensionistësh që jetojnë në Shqipëri do të trajtohen me pension minimal, ose me pension tejet të ulët, pasi nuk i plotësojnë kushtet.

 

Nga ana tjetër, skema e pensioneve është nën presionin e rritjes së shpenzimeve, pasi tani po del në pension brezi i bumit të lindjeve në vitet 1950-1960.

 

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, këtë vit shpenzimet për sigurimet shoqërore do të arrijnë në 161.5 miliardë lekë, nga rreth 3.3% nga viti 2022. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado tha se, nga viti në vit po rritet numri pensionistëve të rinj në skemën e pensioneve dhe kjo shoqërohet me shpenzime më të larta për pagesat mujore.

 

Hado shpjegoi se janë ezauruar mjetet për ndryshime të reja në skemën e pensioneve, pasi në vitin 2014 u ndryshua kriteri kryesor që kishte të bënte me moshën. Mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.

 

Drejtori i Institutit të Sigurimeve thotë se duhet të nxitet një model më produktiv në ekonomi që të prodhojë paga më të larta që sigurojnë nxitjen e lindjeve. Ai gjithashtu këshilloi që me ndërhyrjen e qeverisë të sigurohen në kolonën e dytë punonjësit e administratës, sektori publik i arsimit, shëndetësisë etj.

 

Me një popullsi që plaket me shpejtësi, Shqipëria po përballet me një sfidë të afërt për të siguruar aksesin në shërbime të përballueshme dhe cilësore të kujdesit afatgjatë për të gjithë të moshuarit në nevojë.

Qeveria ka miratuar strategjinë e moshimit 2020-2024, por zbatimi i saj kërkon fonde të mëdha për reformimin e infrastrukturës së përgjithshme për të moshuarit.

 

Analiza e qeverisë për të moshuarit vë në dukje se aktualisht, problemi më kritik i moshës së tretë është varfëria ekonomike, e shkaktuar nga mungesa ose pamjaftueshmëria e të ardhurave dhe gjendja shëndetësore e pensionistëve, të cilët vuajnë më shumë se një sëmundje kronike dhe janë para nevojave të mëdha të shpenzimeve për medikamente.

 

Shqipëria po plaket dy herë më shpejt se Europa

 

Mosha mediane e popullsisë shqiptare në vitin 2022 ishte 38.2 vjeç, sipas INSTAT. Mosha mediane (mesorja) nënkupton që gjysma e popullsisë është më e re sesa 38.2 vjeç dhe gjysma tjetër më shumë.

 

Në krahasim me mesoren e Bashkimit Europian, Shqipëria vijon ende të mbetet një nga popullsitë më të reja (e gjashta) teksa mesorja e Bashkimit Europian, që ndan popullsinë në dy grupe ishte 44.4 vjeç më 1 janar 2022.

 

Por, Shqipëria po plaket me ritme më të shpejta sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, mosha mesore është rritur me 2.5 vjet (mesatarisht me 0.25 vjet në vit) nga 41.9 vjet në 2012 për Bashkimin Europian, ndërsa për Shqipërinë, me 5 vite, sa dyfishimi i BE-së. Shtetet më të reja të Europës janë Kosova (30 vjeç për vitin 2020) dhe Turqia (32.8 vjeç, për vitin 2021).

 

Në dekadën e fundit, Shqipëria ka shënuar rritjen më të lartë të moshës mediane nga të gjitha shtetet e tjera të Europës. Maqedonia e Veriut është e dyta, që është plakur me 4.7 vite dhe Portugalia, me 4.7 vite.

Në vitin 1994, kur Eurostat raporton të dhënën e parë për Shqipërinë, gjysma e popullsisë ishte nën 27.6 vjeç ndërsa për Bashkimin Europian (të atëhershëm) mosha mesore ishte 38.7 vjeç, me një diferencë prej 11.1 vitesh.

 

Për shkak të ritmeve të larta të emigracionit, plakjes graduale të popullsisë dhe ndryshimit të stilit të jetesës që çoi në rënien e numrit të lindjeve për një grua, nivelit të ulët të zhvillimit ekonomik (Shqipëria mbetet ndër më të varfrat në Europë, me 32% të ardhurave të mesores europiane) Shqipëria po plaket shumë më shpejt dhe diferenca është ngushtuar në 6.2 vjet në vitin 2022./ Monitor