Tema e kësaj të Shtune në programin “Rudina” në Tv Klan ka të bëjë me traditat e bukura shqiptare të trashëguara ndër breza. Pjesë e panelit, këngëtarja e njohur e këngës popullore Irini Qirjako rrëfen me shumë nostalgji disa nga traditat më të bukura të vendlindjes së saj.
Sipas saj, dasmat në Sarandë nuk bëheshin me orkestër, por me këngë polifonike e batuta që hidhnin pala e nuses dhe ajo e dhëndrit.
Irini Qirjako: Në zonën tonë, tradita më e bukur është kënga polifonike në Sarandë. Përpara nuk kishte instrumenta fare apo orkestër, dasmat bëheshin duke kënduar. Por, më e bukura ka qenë në këto gëzimet, kur lindte fëmija i vogël, në fejesa, në këto pagëzimet. Mbaj mend se kam qenë e voçkël, kendonim në momentin e dasmës bëheshim dy palë. Një palë këtej nga krushqia dhe pala tjetër e dhëndrit dhe jepnin batuta me njëri-tjetrin labçe, krijoheshin në moment. Unë çuditesha, gjithë ato fjalë si i krijonin në çast!
Rudina Magjistari: Improvizime…
Irini Qirjako: Improvizim po kaq perfekt dhe kaq artistikisht letrate ato fjalitë sa unë mahnitesha. Kjo ishte gjëja më e bukur, edhe sot e vazhdojnë e kanë paçka se ka hyrë orkestra e muzika, por në disa krahina për nostalgjinë e vjetër i bëjnë ato batutat.
Ndërsa për dialektin në Finiq, Irini thotë se nuk mban mend shumë se ka ikur e vogël, por shpjegoi disa fjalë shpjegon për objektet e gatimit.
“Unë kam ikur e vogël, po përshembull tepsisë ne i thonim sini. Sini e madhe që bënim byrekun, ja si qeshin gratë. Ajo që vihej në zjarr, pirostia quhej me tre këmbë. Një trekëndësh me këmbë metali dhe sipër vihej kusia, se tenxheres kusi i themi ne. Bjer çik kusinë dëgjoja ato komshitë çame”, tha Irini.