Kryeministri Edi Rama ftoi sot të rinjtë të aplikojnë në platformën e-Albania për kurset e formimit digjital që janë ende të hapura.

 

Kryeministri Rama ndau sot në rrjetet sociale një tjetër shembull suksesi të një të riu që ka zgjedhur të aftësohet në fushën e programimit “Python Fullstack”, pranë Akademisë Betaplan.

 

“Një tjetër shembull suksesi dhe tejet frymëzues i të rinjve si Endri, që ka zgjedhur të aftësohet në fushën e programimit “Python Fullstack”, pranë Akademisë Betaplan, me 100% mbështetje financiare nga shteti, ju ftoj të aplikoni në platformën e-Albania për kurset e formimit digjital që janë ende të hapura”, u shpreh Rama.

 

Programi i kodimit, përveç subvencionimit, do të ofrojë edhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve e tregut të punës, si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.

 

Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100 %. /ATSH