Presidenti Bajram Begaj deklaroi sot se “vizita e Presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen në Tiranë është dëshmi e angazhimit serioz të Austrisë në procesin integrues të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor si një vend me arritje të shumta në këtë rajon me vëmendje dhe angazhim të vazhdueshëm që rajoni ynë të jetë pjesë e familjes evropiane”.

 

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun austriak, Begaj tha se “kjo vizitë është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të një rëndësie të veçantë. Austria është partner dhe mik historik i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndamë pikëpamjen e përbashkët se marrëdhëniet shqiptaro-austriake përjetojnë një klimë të mirë bashkëpunimi dhe se dialogu politik është intensifikuar përfshirë nivelin e vizitave”.

 

Kreu i Shtetit tha se “e informova presidentin austriak për përparimin e bërë në zbatimin e reformave në integrimin evropian dhe të rezultateve konkrete në plotësimin e kritereve në këtë drejtim. I konfirmova vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar me ritme të shpejta angazhimin për të përmbushur të gjitha detyrimet si një vend kandidat për anëtar në BE”.

 

“E sigurova që Shqipëria mbetet e dedikuar në të gjithë nivelet për rezultate të dukshme në reformën në drejtësi. Brenda kompetencave kushtetuese mbetem tërësisht i angazhuar për mbështetjen e ecurisë së reformës në drejtësi që të gjitha institucionet e larta të drejtësisë të arrijnë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, që Shqipëria të forcojë shtetin e të drejtës , garant të cilësisë së demokracisë dhe një sistem drejtësie që gëzon besimin e plotë të shtetasve tanë dhe respekt ndërkombëtar”, nënvizoi Begaj.

 

Presidenti Begaj tha gjithashtu se “i shpreha mirënjohje për mbështetjen që Austria i ka dhënë vendit tonë për reformën në sistemin e drejtësisë në kuadër të programit EURALIUS nëpërmjet Agjencisë Austriake për zhvillim, Austria do të vijojmë mbështetjen për zhvillimin e këtij aktiviteti”.

 

Duke folur për Kosovën, Begaj tha se “shumë e rëndësishme është mbështetja e Austrisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”./ATSH