Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dënoi sulmin me armë zjarri në mjediset e “Top Channel”.
Në një deklaratë për shtyp, Delegacioni i BE-së i shpreh ngushëllimet e thella familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, rojës së sigurisë që mbeti i vrarë në sulm.
“U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe liria e medies janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen”, theksohet në deklaratë.
Rreth orës 01:00 të pasmesnatës së të dielës, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të “Top Channel”. Si pasojë e të shtënave humbi jetën roja i sigurisë, shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).
Policia e Shtetit po punon për të zbardhur këtë ngjarje dhe për të vënë para drejtësisë autorët.