Papunësia, varfëria dhe zhgënjimi me elitën politike po i zbrazin qytetet dhe fshatrat e vogla shqiptare; të rinjtë po shpërngulen jashtë vendit, duke marrë me vete shpresat e familjeve të tyre për t’i shpëtuar financiarisht, shkruan Fjori Sinoruka në Reporter.al.

 

Mësuesi i anglishtes Xhevair Shaqiri thotë se nxënësit e shkollës së mesme ku ai punon në rajonin verior të Kukësit rrallë e lënë mësimin dhe ai e di pse.

 

“Të gjithë duan të shkojnë në MB,” tha Shaqiri për BIRN. “Në fshatrat e largëta situata është shumë më dramatike. Çdo familje ka të paktën një fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar.”

 

Mbretëria e Bashkuar thotë se 11,102 shqiptarë kaluan Kanalin me varka të vogla për në Mbretërinë e Bashkuar midis majit dhe shtatorit të vitit të kaluar, nga 800 gjatë gjithë vitit 2021 dhe kjo nxiti retorikën alarmante nga politikanët dhe tabloidët që raportonin për një ‘pushtim’ nga burrat shqiptarë të prirur për të kryer krime.

 

Në fillim të marsit, qeveria prezantoi në parlament një legjislacion të ri,  i ashtuquajturi projektligji “Stop varkave”, që do t’u jepte autoriteteve kompetenca të reja gjithëpërfshirëse për t’i kthyer pas migrantët. Kritikët thonë se masat e reja shkelin të drejtat e garantuara ndërkombëtarisht dhe mbetet për t’u parë nëse ato do të mund t’i pengojnë shqiptarët e dëshpëruar për një të ardhme më të mirë.

 

“Çdo ditë mendoj të largohem”, tha një kamarier 27-vjeçar në fshatin e mbuluar me borë të Kolesjanit, pak kilometra larg qytetit të Kukësit. “Çdo i ri ëndërron të largohet. Edhe kur takohemi bashkë, të vetmet biseda që bëjmë janë për largimin”.

 

Kamarieri, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se për të, masat goditëse nga Mbretëria e Bashkuar nuk ndryshojnë asgjë.

 

“Pa dyshim, ne duam të largohemi këtë verë,” tha ai.