Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 1-0 me Poloninë në transfertë, me duelin që vlente për grupin E kualifikues në Euro 2024. Në stadiumin e Varshavës vendosi goli i Swiderski në minutën e 40-të të ndeshjes, teksa kuqezinjtë "qajnë" katër rastet e pastra të shënimit. Trajneri i ri i Kombëtares, Sylvinho debutoi me humbje në stolin kuqezi, teksa pas ndeshjes evidentoi aspektet pozitive. Trajneri në fillim foli për rastet e shumta, bisedën në dhomën e zhveshjes në pushimin e ndeshjes dhe pikët e nevojshme, pse jo edhe fitoren në duelin e Varshavës.
"Humbje e hidhur pas gjithë rasteve tone? Po. Një humbje shumë e vështirë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi Polonia ka luajtur edhe në Botëror. Megjithatë skuadra ka bërë gjithçka mirë, duke kuptuar gjithçka që duhej të bënte dhe shkuam deri në fund, duke luajtur shanset tona për të shënuar. Luajtëm me shpirt e me zemër. Fola me djemtë në pushim të ndeshjes dhe u kërkova të mbrohemi mirë e të luajmë fort. Donim pikë dhe pse jo të fitonim. Nuk e humbëm toruan dhe mendoj që në aspektin taktik e organizativ, ishim siç duhet në fushë. Barazimi do të ishte më i drejtë, por kështu është futbolli", tha fillimisht braziliani.
Sylvinho më pas u pyet edhe për përmirësimet që ekipi ka nevojë në të ardhmen, duke thënë se zemra dhe shpirti nuk i munguan lojtarëve.
"Zemra dhe shpirti që unë kërkoj, është ky. Në sensin organizativ, reaguam shumë mirë, por kemi shumë vend për t’u përmirësuar, pasi duam të luajmë me topin dhe të kontrollojmë lojën. Kemi për të korrigjuar diçka edhe në mbrojtje, por do t’i analizojmë të gjithë momentet e ndeshjes, për të parë se ku mund të përmirësohemi", tha trajneri.
Rikuperimi i topit dhe humbja e shpejtë e tij, si edhe shtysa përpara për golin, këto janë temat që u ndal Sylvinho.
"Polonia është një skuadër që luan shumë me topa të gjatë dhe bëhet pak më e vështirë për t’u bërë presing atyre. Duhet ta korrigjojmë këtë aspekt. Luajtëm me Gjasulën para mbrojtjes, vetëm për të fituar duelet ajrore. Kishim përballë një skuadër shumë të fortë, por duhet të punojmë ende shumë, që të rritemi sa më shumë në presing.
Nëse do të rrezikonim më shpejt, mund të ishim ndëshkuar me golin e dytë dhe mbyllej ndeshja. Këtu lojtarët u treguan të zgjuar, duke ruajtur ekuilibrat. Zëvendësimet ishin pak për të përfituar në 10-15 minutat e fundit. Ndoshta mund të kishim rrezikuar më shumë, por do të ishte rrisk edhe për të pësuar gol", tha Sylvinho.