Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka premtuar se do të shërojë plagët e shkaktuara nga tërmetet e fuqishme që goditën rajonin jugor të vendit të tij muajin e kaluar duke marrë jetën e mbi 50 mijë njerëzve.
“Ne po punojmë ditë e natë për të shëruar plagët e shkaktuara nga tërmeti në zemrat e miliona e njerëzve”, tha presidenti Erdoğan në një ceremoni të hedhjes së themeleve në provincën Adıyaman.
Erdoğan njoftoi se Türkiye planifikon të ndërtojë 319 mijë shtëpi brenda një viti në rajonin e goditur nga tërmeti.
“Në njërën anë po krijojmë hapësira të përkohshme akomoduese, ndërsa në anën tjetër po fillojmë ndërtimin e banesave të përhershme”, tha Erdoğan, duke shtuar se deri më tani ka filluar ndërtimi i 56.323 shtëpive.
Më 6 shkurt, dy tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 goditën 11 provinca turke, ku mbi 13.5 milionë njerëz u prekën nga këto tërmete shkatërruese, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriore./AA