Ka rënë në pranga banda shqiptare në Spanjë, që merrej trafik droge në të gjithë Evropën.
Sipas raportimit të mediave spanjolle gjatë operacionit ‘Bulciza’ janë arrestuar 9 shtetas shqiptarë, që merreshin me kultivimin dhe shpërndarjen e marijuanës.
Hetimi policor nisi si rezultat i informacioneve të një prej kompanive të shpërndarjes së energjisë elektrike, me të cilën bashkëpunojnë për zbulimin e mashtrimeve në furnizimin me energji elektrike. Shumë herë këto mashtrime fshihen pas instalimeve elektrike të paligjshme që furnizojnë me energji të korrat e marijuanës në shtëpi.
Nga një konstatim që tregonte një konsum të tepruar të energjisë elektrike, i cili vinte nga një magazinë në një zonë industriale në Alicante, u arrit lokalizimi dhe arrestimi i bandës shqiptare.
Sipas uniformave blu gjatë kontrollit të kryer në shtëpi dhe ndërtesat industriale, janë konfiskuar 1660 bimë marijuanë, sasi droge të tjera të ndara në doza dhe gati për shitje, si edhe 510 euro cash.
Nëntë të arrestuarit ishin me origjinë nga Bulqiza, dhe i përkisnin moshave 20 deri në 36 vjeç.