39 minuta e 5 sekonda. Kaq pak kohë, por kaq shumë enigmë. Dy të zhdukur dhe një automjet me dy targa të ndryshme. E planifikuar, rastësore, një apo shumë autorë? Ky është misteri që prej 1 muaji po përpiqen të zbulojnë oficerët më të mirë të Policisë së Shtetit.

 

 

Zhdukja e dy 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari, vazhdon të hetohet intensivisht nga policia dhe prokuroria ndërkohë që kërkimet në terren vazhdojnë të rezultojnë të pasuksesshme edhe pse në ndihmë kanë ardhur edhe qenë nuhatës nga Kosova.

 

“BalkanWeb” ka arritur të zbulojë një detaj shumë enigmatik nga dosja hetimore lidhur me zhdukjen e dy personave në Sarandë. “Koçolja” dhe Sulovari nuk rezultojnë të jenë zhdukur natën, por ditën me diell të 6 prillit. Policia ka në dorë pamjet filmike se si automjeti tip “Mercedes-Benz” që dyshohet se i ka rrëmbyer ata, ka kaluar në orën 15.13.09 në afërsi te fshatit Pllakë me drejtim për në Sorone dhe po nga e njëjta kamera është kapur në kthim në orën 15.52.14.

 

Pra presupozohet se brenda në këtë automjet në ikje kanë qenë edhe Thodhori e Sulovari e më pas në kthim ata nuk kanë qenë. Pra janë 39 minuta për të cilat policia nuk ka pamje filmike dhe që mendohet se janë minutat kyçe që përcaktojnë fatin e dy 46-vjeçarëve. Në ikje automjeti ka pasur targat AA175LV dhe në kthim po i njëjti mjet ka pasur targat YTO1114.

 

Këto targa rezultojnë të vjedhura në Shqipëri e në Greqi. A mundet që për 39 minuta dikush të kryejë dy vrasje, të fshehë kufomat dhe të ndërrojë dhe targat e një automjeti? Sa larg nga fshati Pllakë është larguar ky mjet dhe pasi ka mbaruar punë është kthyer sërish? A janë vrarë dy 46-vjecarët nga drejtuesi apo ndonjë pasagjer i mjetit? Apo ata i janë dorëzuar një apo disa personave të tjerë?

 

 

A mundet që për 39 minuta një automjet të shkojë nga Pllaka ne Xarrë apo Vrinë. E të kthehet duke kryer ose vrasje e fshehje kufomash, ose dorëzim personash. E sigurisht ndërrim targash, apo këto kanë ndodhur në zonën e Soronesë? Përgjigja e këtyre pyetjeve është në 39 minutat misterioze që nuk i ka kapur asnjë kamera sigurie.