Drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s konfirmon mbështetjen për organizatat e sigurisë në Kosovë

 

Gjeneral Brigade Ralf Peter Hammerstein ka marr detyrën e Drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë.

 

Ai këtë detyrë e ka marr nga Gjeneral Brigade Joachim Hoppe i cili e ka drejtuar Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s që nga prilli i vitit 2022.

 

Në këtë ceremoni ishin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv.ministri Shemsi Syla, zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, oficerë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe NALT, si dhe të ftuar të tjerë.

 

Gjeneral Brigade Joachim Hoppe tha se: “ka qenë një nder i madh të përfaqësojë NATO-n këtu në Kosovë. Jam krenar për punën që ka bërë NATO-ja dhe ekipi im në këshillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë. Së bashku me homologët tanë kemi arritur progres në mbështetjen e zhvillimit të tyre, duke përfshirë edhe ofrimin e ndihmës në përforcimin e kontrollit civil dhe mbikëqyrjes demokratike. Veçanërisht jam kënaqur me atmosferën e besimit dhe bashkëpunimit të cilën e kemi pasur në aktivitetet tona të përditshme. Mbes jashtëzakonisht i impresionuar nga profesionalizmi dhe përkushtimi i treguar nga të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë, dhe mirëpres të dëgjoj më shumë për zhvillimin e tyre në të ardhmen”.

 

Drejtori i ri i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral Brigade Ralf Peter Hammerstein synon të vazhdoj të ndërtoj më tej mbi përpjekjet e pararendësit të tij. “Jam falënderues për mirëseardhjen shumë të ngrohtë në Kosovë dhe mirëpres të ruaj mbështetjen e NALT-it për organizatat e sigurisë në Kosovë. Do të punoj ngushtë me homologët tanë të Kosovës për të arritur rezultatet e rëndësishme”, tha ai.

 

Gjenerali Hammerstein ka një karrierë të dalluar në forcat e armatosura gjermane, duke qenë në shërbim në pozita të larta në Ministrinë Federale Gjermane të Mbrojtjes dhe në Ushtrinë Gjermane.

 

Që nga gushti i vitit 2016, misioni i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s është që të mbështes zhvillimin e mëtejmë të organizatave të sigurisë në Kosovë sipas mandatit të tyre origjinal./ATSH