Kryeministri Edi Rama ka ftuar të gjithë të rinjtë që të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

 

Rama ka publikuar në rrjetet sociale mesazhin e pilotes së parë shqiptare, Armela Murati e cila u bë pjesë e Forcave të Armatosura duke ndjekur kursin e pilotit.

 

Rama u bën thirrje të rinjve të aplikojnë për mundësitë e shumta të karrierës brenda FA-së.

 

Murati shprehet se zgjedhja për kursin e pilotit më erdhi thjeshtë rastësisht duke qenë se edhe emërimi mu bë në Forcë Ajrore e pashë si mundësi për të ardhmen time në karrierën ushtarake.

 

Armela tregon se nuk kishte synim të bëhej pilote, por thekson ajo, “thjeshtë doja që t’i shërbeja vendit tim, por ja që fati deshi që unë ti bashkohesha Forcave Ajrore”.

 

Ministria e Mbrojtjes ka nisur që në fillim të muajit mars fushatën e rekrutimeve për 400 pozicione të lira pranë FA si ushtarë apo detar aktiv.

 

Kjo thirrje është e hapur për të gjithë të rinjtë e moshave 18-27 vjeç me arsim 9-vjeçar, të mesëm apo të lartë.

 

Ndër përfitimet që marrin të gjithë ata që zgjedhin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura janë: puna e garantuar në FARSH dhe mundësi për karrierë të suksesshme, të ardhura mujore dinjitoze, si asnjëherë më parë për FA, shërbim shëndetësor për vete dhe familjarët dhe mundësi kurimi të specializuar brenda dhe jashtë vendit, sigurim shoqëror dhe përfitime suplementare pas përfundimit të karrierës, mundësi arsimimi dhe kualifikimi ushtarak brenda dhe jashtë vendit pa pagesë, përparim në gradë dhe karrierë, përgatitje fizike sipas standardeve të NATO, angazhim në misione paqeruajtëse në kuadrin e NATO, OKB, BE me përfitime financiare të konsiderueshme.

 

Po ashtu për çdo të ri që bëhet pjesë e FA ofrohen trajnime dhe stërvitje jashtë vendit së bashku me kolegë të tjerë të NATO dhe SHBA, lehtësira për qira banese, transferim bashkëshorti/e, trajtim me ushqim, pagesë transporti si dhe kredi me norma të lehtësuara për banesën e parë të familjeve ushtarake.

 

Me rritjen e fundit të pagave, një oficer (grada e parë për ushtarakët oficerë të titulluar nën toger) pas kryerjes së studimeve në Akademinë e Forcave të Armatosura merr një pagë mbi 77 mijë lekë pa përfshirë shtesat mbi pagë për kompensim ushqimor, shtesat për natyra të veçanta apo trajtimin me uniformë ushtarake, sportive, etj.