Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti të hënën në Tiranë në një takim zyrtar, ministrin e Brendshëm të Landit të Bavarisë, Joachim Herrmann.

Hoxha tha se, gjatë bisedës me homologun gjerman konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera që Shqipëria dhe Gjermania kanë, mbështetur në një dialog intensiv politik të nivelit të lartë.

“Më tej trajtuam gjetjen e rrugëve të reja për thellimin e bashkëpunimit, në luftën ndaj krimit të organizuar, si dhe mundësinë e ngritjes dhe funksionimit të Skuadrave të Përbashkëta Hetimore. Në këtë kontekst, vlerësova si model të bashkëpunimit të suksesshëm, njësinë “Antiskifter” për krimet kundër pronës”, u shpreh ministri.

Të dy homogët theksuan se bashkëpunimi mes dy policive është shumë funksional dhe mbështetën idenë e hedhur nga stafet teknike për patrullime të përbashkëta, eksperienca që funksionojnë mes disa shteteve.

“Gjermania ka ofruar mbështetje të dukshme në drejtim të hapjes së negociatave të anëtarësimit, veçanërisht me një rol shumë proaktiv në perspektivën e Shqipërisë drejt BE-së”, vuri në dukje Hoxha.

Gjithashtu vijoi ministri, Gjermania ka dhënë një kontribut të madh, përfshirë ndihmën për Policinë e Shtetit në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe logjistike./ata