Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi prezantoi sot draftin e Strategjisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Inovacioni për vitet 2023-2030.
Kushi tha se “disa nga qëllimet prioritare janë rritja graduale të buxhetit për kërkimin shkencor dhe inovacionin deri në vitin 2030 në 1% të PBB, duke përfshirë edhe kontributin e të gjithë aktorëve (sektori i biznesit, arsimi i lartë privat, organizatat jofitimprurëse, ministritë e ndryshme dhe bashkitë) si dhe rritja e pjesëmarrjes së institucioneve tona në programet kuadër të BE-së, si Horizon Europe, etj”.
Sipas Kushit, prioritet është edhe krijimi i një mjedisi që lehtëson dhe nxit ndërveprimin dhe projekte të përbashkëta mes institucioneve kërkimore dhe komunitetit të biznesit;
Ministrja Kushi veçoi si prioritete edhe përmirësimin e kapaciteteve të kërkuesve shkencor dhe krijimi i rrjetit të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, për rritjen e performancës në programet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore të kërkimit shkencor, krijimi i mjediseve të përshtatshme kërkimore, laboratorëve dhe infrastrukturave kërkimore.
Kushi falënderoi të gjitha institucionet që u përfshinë në hartimin e këtij drafti, i cili tha ajo “tashmë është në konsultim publik dhe për të cilin presim sugjerime konkrete që ndihmojnë në përmirësimin e tij”.