Kryesia e Partisë së Lirisë, pas përfundimit të mbledhjes ka dalë me një qëndrim zyrtar sa i përket arrestimit të kreut të kësaj partie, Ilir Metës.

Arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, Partia e Lirisë e cilëson “burgosje politike” për shkak të qëndrimeve të tij. Partia e Lirisë njofton se do të intensifikojë aksionin e saj politik në terren.

Kryesia e Partisë së Lirisë, e mbledhur sonte më datë 21 tetor 2024, shpreh qëndrimin e saj. PL dënon me ashpërsinë më të madhe aktin shumë të rëndë kriminal terrorist të rrëmbimit dhe arrestimit politik, në mënyrë jo ligjore, të dhunshme dhe në shkelje të hapur të dinjitetit njerëzor dhe qytetar të një figure të lartë publike, si ish-kryeministri, ish-kryetari i Kuvendit, ish-presidenti i Republikës dhe presidentit aktual të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ky akt terrorist kriminal i urdhëruar nga Edi Rama në Kongresin e Partisë Socialiste dhe i vënë sot në zbatim nga struktura kriminale terroriste SPAK, konfirmon atë që kemi denoncuar prej kohësh se në Shqipëri ka rënë shteti ligjor dhe se sistemi i drejtësisë është i kapur për fyti dhe funksionon sipas një regjie, vetëm për llogari të interesave elektorale dhe politike të Narkoshtetit dhe Edi Ramës. Arrestimi politik i presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pa fakte, pa prova dhe pa dëshmi konfirmon se drejtësia nuk funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe të së drejtës, por mbi bazën e urrejtjes, hakmarrjes primitive, urdhrave politikë dhe metodave policeske të një shteti diktatorial”, lexohet në deklaratë.

PL vijon më tej, duke sqaruar edhe vijimin e aksionit të saj politik.

“Kryesia Politike e Partisë së Lirisë duke shprehur solidaritetin e plotë me presidentin e burgosur politikisht, Ilir Meta, vijon aktivitetin politik nën drejtimin e Tij pavarësisht gjendjes së Tij juridike. Partia e Lirisë është e vendosur të intensifikojë shumëfish aksionin e saj politik dhe në terren për denoncimin e krimeve dhe korrupsionit skizofrenik të Narkoshtetit, për t’i ofruar një alternativë mirëqeverisjeje, të drejtë e humane të gjithë shqiptarëve nëpërmjet 5 Prioriteteve të saj për 4 milionë shqiptarë plus”, përfundon deklarata e kryesisë së PL./ata